Ministria e Punëve të Brendshme e ka publikuar faqen e re “paviza.eu” për të informuar qytetarët për rregullat e udhëtimit në zonën “Schengen”.
Uebfaqja, sipas MPB-së, përmban të gjitha informatat e nevojshme dhe veglat ndihmëse për planifikimin e udhëtimit në shtetet në këtë zonë, sipas rregullave.
Aty përfshihen informatat kryesore, se sa mund të qëndroni në përgjithësi dhe çfarë vizita lejohen. Për në shtetet e zonës Schengen lejohet qëndrimi 90 ditë brenda 180 ditëve. Lejohen vizita familjare, turistike e biznesi. Për punësim dhe studime kërkone procese e leje tjera. Po ashtu, hyrja në Schengen nuk është e garantuar – ka disa arsye përse mund të refuzohet hyrja e ato lidhen me mosplotësimin e kushteve. Po ashtu jepen detaje për sistemin e hyrje/daljes (EES), që si sistem i automatizuar zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave. Ky sistem ka hyrë në fuqi më 12 tetor dhe prej 10 prillit do të hiqet vulosja manuale e pasaportave. Aty përfshihen të gjithë udhëtarët pa viza nga vendet e treta. Sistemi mbledh emrin, dokumentin e udhëtimit, gjurmët e gishtave, fotografia e fytyrës dhe data e vendi i hyrjes ose daljes.
Janë gjashtë kushte që duhet plotësuar për të vizituar ndonjë shtet të zonës Schengen. Bëhet fjalë për pasaportë biometrike me afat edhe të paktën 3 muaj pas datës së planifikuar të kthimit nga Schengeni. Po ashtu kërkohet dëshmia mbi qëllimin e udhëtimit (ftesa ose rezervimi i hotelit, apo dokument tjetër që tregon arsyen e udhëtimit). Duhet edhe dëshmi mbi qëndrimin (hoteli ose adresa ku do të qëndroni). Për të hyrë në shtet të zonës Schengen kërkohet edhe bileta e kthimit, plani i udhëtimit ose dokument që dëshmon se do të ktheheni në Kosovë. Kërkohen edhe mjete të mjaftueshme financiare, në llogari bankare ose kartë krediti, por edhe dokument se mund t’i përballoni shpenzimet e vendit ku hyni. Në kufi do të merren gjurmët e katër gishtave dhe fotografia e fytyrës – prandaj mendoni se mund të keni vonesa. Po që se udhëtoni me veturë duhet edhe leja e qarkullimit, sigurimi ndërkombëtar dhe patentë-shoferi.
Veçori kryesore e uebfaqes së MPB-së është kalkulatori i qëndrimit në Schengen. Aty mund të llogariten se sa ditë mund të qëndrohet në një shtet, pa e shkelur rregullin “90/180”. Shkelja e këtij rregulli çon në ndalim të hyrjes në Schengen.
Kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në Schengen që nga janari i vitit 2024.
Shtetet në Schengen: Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Bullgaria, Rumania.
Mbretëria e Bashkuar nuk bën pjesë në zonën Schengen. Po ashtu, Monaco, San Marino dhe Andorra nuk janë pjesë e Schengenit, megjithëse kanë kufij të hapur me disa shtete.