Afrim Kasolli, analist politik, ka thënë se deklarata me të cilën Bedri Hamza e shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës e demanton qëndrimin e një dite më parë nga Memli Krasniqi që u dorëhoq nga ky post.
Në “Konfront” të KTV-së, Kasolli ka thënë se ka pasur kontradikta të mëdha mes dy zyrtarëve.
“Në një krahasim mes dy deklaratave, atë që ish-kryetari e tha për arsyetimin përse po e dorëzon stafetën e drejtimit të partisë dhe kumtimin që Hamza në rrjete sociale e postoi se përse do t’i hyjë kësaj beteje... ka kontradikta të mëdha në mes të asaj që u tha dje dhe sot Bedri Hamza e demanton totalisht Krasniqin. Hamza thotë se ‘besoj që PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar dhe reformuar’. Kjo nënkupton se deri tash s’paska qenë e unifikuar dhe reformuar. Ky konstatim i Hamzës tregon se paska dështuar reforma nën drejtimin e Memli Krasniqit. Dhe thotë për t’u rikthyer si partia kryesore në vend. Pra ky po kandidon me tri pretendime, për ta unifikuar që nënkupton se nuk qenka nën menaxhimin e Krasniqit dhe është fragmentarizuar, për t’u reformuar dhe kthyer si partia kryesore e Memli Krasniqi e konsideroi si sukses elektoral rezultatin e zgjedhjeve kur doli e tha si partia e parë”, ka thënë Kasolli duke shtuar se po që se do të ishte sukses, Krasniqi është dashur ta vazhdonte misionin.
Kasolli po ashtu ka thënë se në PDK nuk po ka zgjedhje të brendshme tash e gjashtë vjet dhe se ndryshimi i kryetarit përmes konventave është “improvizim elektoral”. Sipas tij, kjo është në kundërshtim me statutin e partisë.