Rritja e kërkesave dhe mungesa e stafit mjekësor kanë bërë që lista e pritjes për ekzaminimin PET/CT në Klinikën e Mjekësisë Nukleare në QKUK të zgjatet deri në katër muaj. Për shumë pacientë me dyshime për sëmundje kancerogjene, vonesa po i detyron ata të kërkojnë zgjidhje në sektorin privat, me kosto të larta financiare
Lista e pritjes për skanimin e detajuar të trupit për zbulimin e qelizave kancerogjene në Klinikën e Mjekësisë Nukleare është rritur nga dy në katër muaj që nga shtatori 2025.
Një nga pacientët, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se për t’iu nënshtruar këtij skanimi i është thënë se duhet të presë deri në muajin maj, ndaj është detyruar të kërkojë alternativa të tjera.
“Mjeku më ka kërkuar një PET/CT, por në të shtetit më thanë se nuk mundem me e ba shpejt. Unë gjendjen nuk e kam të mirë dhe më duhet menjëherë me e kry, e jam duke shikuar me bë zgjidhje, edhe pse ka kosto të lartë dhe vështirë të përballueshme”, ka treguar pacienti.
Në Klinikën e Mjekësisë Nukleare konfirmojnë se lista e pritjes është shtuar si pasojë e rritjes së kërkesave, duke bërë të ditur se aktualisht 196 pacientë janë në listë pritjeje.
“Arsye e vetme është edhe që ne jemi pak staf, jemi vetëm pesë specialistë të mjekësisë nukleare, nuk mund ta rrisim kapacitetin për shkak të arsyeve të personelit mjekësor, specialistëve, të cilët jemi pak. Tash në specializim i kemi katër specializantë, dy kanë filluar më herët para një viti, dy tjerë kanë ardhur tash. Ne kërkesën do ta bëjmë edhe për gjashtë specialistë që ne në të ardhmen ta nxjerrim një gjeneratë e cila do ta vazhdonte punën në Mjekësinë Nukleare, në PET/CT, SPECT/CT me të gjitha këto procedura. Kjo është arsyeja e rritjes së d.m.th. numrit dhe muajve të pritjes, d.m.th. në katër muaj dhe kërkesat e mëdha të cilat janë duke ardhur nga klinikat dhe nga shërbimet e tjera në nivel të republikës”, ka thënë Fakir Spahiu, drejtor i Klinikës së Mjekësisë Nukleare.
Drejtori i Klinikës thekson se në rritjen e listës së pritjes kanë ndikuar edhe kërkesa, siç i cilëson ai, të paarsyeshme, të bëra nga disa klinika.
“PET/CT është ekzaminimi i fundit i cili bëhet te një rast, në këtë rast krejt pacientët i ki me diagnozë të përcaktuar me kancer dhe ajo kërkohet kur ekzaminimet tjera, si qoftë një ultrazë, një CT, një MRI nuk ka dhënë ndonjë detal, ndonjë ekzaminim detal, që kërkohet pastaj PET-CT-ja. Te ne ndonjëherë kemi raste kur vjen PET/CT-ja bëhet e para, pa ua bë asgjë tjetër. Kjo e ka rritur listën e pritjes... Kemi edhe kërkesa të cilat janë të paarsyeshme, janë pa indikacione dhe ajo e ka rritur listën e pritjes”.
Spahiu thekson se ekzaminimi PET/CT aktualisht kryhet vetëm dy herë në javë, pasi edhe furnizimi me material radioaktiv bëhet vetëm dy herë në javë.
Ai ka njoftuar po ashtu se brenda një dite realizohen rreth shtatë ekzaminime.
Gjatë vitit 2025, në Klinikën e Mjekësisë Nukleare janë realizuar 654 ekzaminime PET/CT.
Ky shërbim ka nisur për herë të parë në institucionin publik në qershor të vitit 2024. Ndërkohë në institucionet private për kryerjen e këtij ekzaminimi pacientët duhet të paguajnë mbi 1 mijë euro.