Arbëri

Katër parti s’mund të certifikohen për zgjedhje lokale, pa i paguar gjobat

Mbi 38 mijë euro ia kanë borxh Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa katër subjekte politike për shkeljet gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale. Pa pagesën e këtyre borxheve, subjektet nuk do të mund të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e nivelit lokal, që do të mbahen më 12 tetor

Katër subjekte politike rrezikojnë të mos certifikohen për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, në rast se nuk i paguajnë gjobat që u janë shqiptuar gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale.

Listës i prin Koalicioni për Familjen me 18 mijë e 500 euro gjobë të papaguar, pasuar nga Demokracia Serbe me 12 mijë euro, Partia e Serbëve të Kosovës me 7 mijë e 200 euro e me 1 mijë euro borxh Partia e Ashkalinjve për Integrim.

Sipas të dhënave që ka ofruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shuma e gjobave të papaguara është 38 mijë e 700 euro, ndërsa deri më tani janë paguar 108 mijë euro.

Kjo nuk përfshin shumën prej 504 mijë e 400 eurosh, gjoba këto të pesë partive që kanë zënë ulëse në Kuvend, të cilave KQZ-ja ka vendosur t’ua ndalë nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike.

“Në total shuma e gjobave të shqiptuara është 651,100.00 €, nga kjo shumë deri më tani 108,000.00 € janë paguar, ndërsa 543,100.00 € janë borxhe të papaguara. Në këtë shumë të borxheve të papaguara janë edhe gjobat e subjekteve politike, për të cilat KQZ ka marrë vendim për ndalimin nga fondi për demokratizim, pasi që deri më tani këto borxhe nuk janë inkasuar ende dhe nuk janë bartur në xhirollogarinë e PZAP-it”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së.

PZAP-ja bëri të ditur në një përgjigje për KOHËN se për gjobat e papaguara ka njoftuar subjektet politike e njëjtë do të veprojë edhe me KQZ-në.

“PZAP-ja i ka njoftuar subjektet politike për gjobat e papaguara dhe nëse ato nuk paguajnë me gjithë njoftimin e bërë, PZAP-ja inicion procedura ligjore për inkasimin e atyre gjobave. Po ashtu PZAP-ja e njofton edhe KQZ-në me borxhet e papaguara të subjekteve politike me qëllim të inkasimit të atyre borxheve dhe moscertifikimit të këtyre subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e radhës”, ka bërë të ditur PZAP-ja.

Përfaqësuesi i Koalicionit për Familjen, Visar Korenica, tha se gjoba do të paguhet dhe se subjekti politik e ka në shqyrtim mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale.

“Zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme dhe po shikojmë mundësitë për pjesëmarrje me bashkëpunëtorë. Për një kohë të shkurtër do të marrim vendim të duhur edhe për këto zgjedhje dhe sigurisht se do të informoheni, përfshirë këtu edhe bashkëpunimet e mundshme. Çdo gjobë që na takon do të shlyhet me kohë. Ju e dini se ne kemi garuar me një koalicion dhe sipas përgjegjësive do të kryhen dhe obligimet që i kemi”, ka thënë Korenica.

Pagesën e gjobës që kanë marrë dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale e kanë paralajmëruar edhe në Partinë e Ashkalinjve për Integrim.

“Lidhur me çështjen e gjobave te evidentuara nga PZAP, jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe ajo është duke u trajtuar nga kryetari i partisë. Jemi të përkushtuar që të përmbushim të gjitha obligimet brenda afateve të nevojshme, në mënyrë që ë garantojmë certifikimin dhe pjesëmarrjen e subjektit tonë në zgjedhje”, ka thënë Artan Asllani, nënkryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim.

Në lidhje me gjobat dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, përgjigje prej dy ditësh nuk kanë kthyer kryetari i Demokracisë Serbe, Aleksandër Arsenijeviq, e as ai i Partisë Serbe të Kosovës, Aleksandër Jablanoviq.

Rregullorja zgjedhore për Certifikimin e Subjekteve Politike dhe Kandidatëve të tyre, përcakton që certifikimi nuk mund të ndodh, pa u paguar gjobat.

Sipas afateve e planit të aktiviteteve të zgjedhjeve lokale, subjektet politike kanë kohë nga 26 qershori deri më 13 gusht që të aplikojnë për t’u certifikuar.