Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se vdiqën në një kantier ndërtimi në Vjenë

Vendi ku ndodhi rasti tragjik

Vendi ku ndodhi rasti tragjik në Vjenë

Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë, nga rrëzimi i skelave.  Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ngushëlluar familjet e viktimave.

Lushtaku në një postim në Facebook ka njoftuar se një nga të vdekurit është nga Klina e Poshtme, ndërsa ka ngushëlluar edhe familjet e tre bashkëkombasve tjerë që humbën jetën në tragjedi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombasit tonë, Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë. Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta i shpreh familjes Bajrami, si dhe familjeve të tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën po në këtë tragjedi. Ndajmë dhimbjen me ju në këto momente të rënda!” – ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Për tragjedinë kanë njoftuar edhe familjarët.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës Pajtim Bajrami, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë me 3 shokët e tij nga Kosova”, ka shkruar Osman Bajrami në Facebook.

“Krone Zeitung” raporton se gjatë punimeve të betonimit në kuadër të ndërtimit në kulmin e një ndërtese, konstruksioni u shemb papritur dhe gjithë skela së bashku me konstruksionin ranë, pikërisht në momentin kur pesë punëtorët ndodheshin në skelë. 

“Punëtorët e ndërtimit, që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar, kanë rënë bashkë me skelën”, shpjegoi zëdhënësi i zjarrfikësve Martin Hofbauer.

Mbi 100 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës luftuan nëpër një fushë rrënojash të rrezikshme. Pjesë të paqëndrueshme, pluhuri dhe betoni e vështirësuan shumë shpëtimin. Në disa raste, ndihmësit u detyruan të gërmonin me duar për të arritur tek të mbuluarit.

Një 45-vjeçar u nxor pas rreth 90 minutash me lëndime të rënda. Ai pësoi dëmtime në kokë, thyerje në krahë dhe dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Ai u dërgua në dhomën e urgjencës së një spitali. Për të tjerët, megjithatë, çdo ndihmë erdhi shumë vonë. Katër punëtorët vdiqën në vendin e aksidentit, ka konfirmuar Policia e Vjenës.  

Shoferi i  vinçit u bë dëshmitar i pavullnetshëm i aksidentit. Ai duhej të qëndronte në kabinën e tij dhe të ndiqte ngjarjet nga lart. Deri në mbrëmje ai u mor në pyetje nga policia.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën e Kosovës në Austri për ta konfirmuar rastin. Deri tash nuk ka marrë përgjigje.