Arbëri

KDI: Bllokada në Kuvend ka cenuar rëndë funksionimin institucional dhe rendin kushtetues

Eugen Cakolli

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar për pasoja të rënda kushtetuese dhe institucionale si rezultat i bllokadës në Kuvendin e Kosovës, e cila ka hyrë në muajin e katërt pa një zgjidhje funksionale.

Në një analizë të publikuar të enjten, KDI-ja thekson se situata aktuale nuk përbën më thjesht një krizë paszgjedhore, por një çrregullim të thellë institucional që rrezikon funksionimin e demokracisë dhe shkel rendin kushtetues të vendit.

Gjatë konferencës për media, përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, deklaroi se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një vakuum institucional të paprecedent, duke lënë qytetarët pa përfaqësim politik, ndërkohë që Qeveria në detyrë vepron pa mbikëqyrje parlamentare dhe institucionet e pavarura janë jashtë çdo kontrolli demokratik.

“Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa një Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze”, ka thënë Cakolli.

Sipas analizës së KDI-së, mosrespektimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues dhe minon parimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës si përfundimtare dhe detyruese.

Në këtë periudhë, sipas KDI-së, Qeveria në detyrë ka ndërmarrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar – përfshirë mbi 70 milionë euro angazhime buxhetore – jashtë mandatit të saj dhe pa kontrollin e Kuvendit, në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.

“Janë marrë vendime për ndarje subvencionesh, themelim të komisioneve të përhershme dhe ndryshime kadrovike në borde publike, pa diskutim institucional dhe jashtë çdo filtri mbikëqyrës”, vijon reagimi.

KDI-ja thekson se reforma të rëndësishme si vettingu dhe Kodi Civil kanë mbetur pezull, ndërsa pesë projektligje të reformës në drejtësi janë të bllokuara. Po ashtu, është ndërprerë plotësisht procesi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë ato me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian, përmes Planit të Rritjes që parashikon rreth 800 milionë euro ndihmë për Kosovën.

Sipas institutit, më shumë se 20 institucione të pavarura, me një buxhet vjetor prej 59 milionë euro, kanë mbetur pa mbikëqyrje parlamentare. Raportet e tyre për vitin 2024 nuk janë shqyrtuar, ndërsa disa borde vazhdojnë të jenë jofunksionale, duke rritur rrezikun për ndërhyrje politike dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Sipas raportit, Kosova ka funksionuar efektivisht pa Kuvend për rreth tre muaj, duke përjashtuar qytetarët nga përfaqësimi, kontrolli dhe vendimmarrja institucionale. Kjo, sipas KDI-së, e minon rëndë legjitimitetin e institucioneve dhe besimin publik në sistemin demokratik.

Në përmbyllje, KDI u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe akterëve politikë që të veprojnë pa vonesa në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe frymën e kompromisit. Po ashtu, u kërkua një auditim i plotë i vendimmarrjes së Qeverisë në detyr[ gjatë kësaj periudhe të bllokadës.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu: https://kdi-kosova.org/publikimet/bllokada-ne-kuvendin-e-kosoves-dhe-cenimi-i-integritetit-institucional/