Njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” nuk do të operojë më 15 gusht, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës. Sipas njoftimit, arsye për këtë është nevoja për ndërhyrje në elektrofilter dhe disa sanime të tjera.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton se, pas një operimi prej mbi 50 ditësh pa ndërprerje, është shfaqur nevoja për ndërhyrje në elektrofilter dhe disa sanime të tjera të domosdoshme. Për këto arsye tekniko-teknologjike dhe mjedisore, njësia B1 do të ndalet nga operimi sot, më datë. 14.08.2025, rreth orës 23:59”, thuhet në njoftim. “Ndalja planifikohet të realizohet për të mbrojtur pajisjet dhe teknologjinë nga dëmtime të mundshme dhe për të shmangur ndonjë defekt me përmasa më të mëdha, që do të kishte ndikim në operim dhe mjedis”.
Përderisa nuk është sqaruar se sa do të zgjasë kjo ndërprerje e operimit, KEK-u ka thënë se do të bëjë përpjekje që “njësia të rikthehet në operim sa më shpejt të jetë e mundur dhe të funksionojë më mirë në aspektin mjedisor”.
Kjo njësi, bashkë me bllokun 2 të termocentralit “Kosova B” zakonisht gjenerojnë 60 për qind të prodhimit në nivel vendi.
Ajo ishte fikur edhe në fund të qershorit.