Në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga pushteti ekzekutiv që të mendojë seriozisht për krijimin e kushteve më të mira për punën e prokurorëve.
Ai ka theksuar se mungesa e prokurorëve në raport me numrin e madh të lëndëve mbetet një sfidë serioze për sistemin e drejtësisë.
“Brenda një dite nuk mund të jetë i pranishëm në seancë një prokuror, ndërsa aktakuzën e ka ngritur kolegu i tij. Pasoja e mungesës së mjaftueshme të numrit të prokurorëve është pasojë për sjelljen e drejtësisë për qytetarin”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka bërë përgjegjëse institucionet që nuk ndajnë buxhet të mjaftueshëm për sistemin e drejtësisë, duke thënë se kjo ndikon drejtpërdrejt në vonesën e drejtësisë dhe në pamundësinë për ta zbatuar atë sipas standardeve ndërkombëtare.
Gjatë paraqitjes së të dhënave për punën e prokurorive, Kelmendi tha se Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2024 ka trajtuar mbi 50 mijë raste, ndërsa janë zgjidhur mbi 45 mijë prej tyre.
Sipas tij, për vitin 2025 janë zgjidhur 92.52 për qind të rasteve, ndërsa në nëntëmujorin e këtij viti përqindja e zgjidhjes ka arritur në 95 për qind. Për rastet e korrupsionit, janë zgjidhur 81.40 për qind e rasteve të pranuara.
Në raportin e Prokurorisë Speciale, Kelmendi ka theksuar se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 18 raste të krimit të organizuar me 63 persona, ndërsa janë zgjidhur po aq raste me 207 persona. Po ashtu, janë zgjidhur 27 raste të krimeve të luftës, që përfaqësojnë 90.91 për qind të rasteve të pranuara, raporton Betimi për Drejtësi.
Në fushën e terrorizmit janë zgjidhur 47 raste, ndërsa për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë janë evidentuar mbi 2 milionë euro. Për trafikim me qenie njerëzore janë zgjidhur 39 raste me 46 persona, ndërsa për dhunë në familje janë zgjidhur 4.083 raste me 5.330 persona të përfshirë.
Sa i përket vendimeve gjyqësore për aktakuzat e prokurorisë, në vitin 2024 janë marrë 15.568 vendime për 13.117 persona, prej të cilëve shumica kanë qenë vendime fajësuese.
Në anën tjetër, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit ka trajtuar 2.849 raste në vitin 2024 dhe 2.262 raste gjatë vitit 2025.
Kelmendi ka theksuar se ruajtja e integritetit profesional dhe paanshmëria në punë janë detyrime thelbësore për çdo prokuror.
“Prokurori i Shtetit duhet të veprojë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjin, të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të mos harrojë betimin e dhënë që askush të mos jetë mbi ligjin”, tha ai.
Në fund, ai shtoi se bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe median është domosdoshmëri për ta përmirësuar imazhin e Prokurorit të Shtetit dhe për ta forcuar besimin e qytetarëve në drejtësi. /EO