Në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve, përmes një aktiviteti simbolik u përkujtuan 1 mijë e 432 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë. Studentë e familjarë të fëmijëve martirë kritikuan institucionet edhe për mungesë të veprimeve në funksion të ngritjes së një obelisku për ta
Në stemën shtetërore, në qendër të së cilës ndodhet harta e Kosovës, një grup studentësh të Fakultetit të Edukimit kanë vendosur numri 1,432, në shenjë kritike ndaj autoriteteve për mungesën e aktiviteteve për fëmijët e vrarë në luftë.
Në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve, ata kërkuan që të përkujtohen 1432 viktimat e gjenocidit serb, që kur u vranë 25 vjet më parë, ishin nën 18 vjeç.
“Përderisa ata dhanë më të shtrenjtën e tyre që kishin, jetën e tyre, më e paketa prej nesh çfarë mund të bëjmë për ta është që t’i përkujtojmë dhe të ngremë një obelisk që vepra e tyre dhe gjaku i tyre të mos humbet kurrë”, ka thënë Yllëza Murtezi, studente e Fakultetit të Edukimit.
Aksionit të studentëve iu bashkuan edhe prindër që kanë humbur fëmijët në luftë.
Në masakrën e Poklekut të Drenasit, nga 53 civilë që u vranë brenda një dhome, 23 ishin fëmijë.
Xhavit Muqolli, familjarë të të cilit ishin viktima të masakrës, përsëriti kërkesën për jetësimin e obelisk në nderim të fëmijëve të vrarë.
“Ishin 23 fëmijë: 6 muajsh Liria, Qëndrimi 9 muajsh, e deri te fëmija 18 vjeçar Fatmirja dhe Sherifja”, ka thënë Muçolli, tek ka folur për moshën e fëmijëve të masakruar në shtëpinë në Poklek. “Ne kemi dalë të kërkojmë nga institucionet tona që të paktën ne si familjarë, si prindër, të kemi një obelisk, një memorial ku mundemi që në ditë të veçanta të shkojmë të dhurojmë një lule, të çmallemi me vendin, e edhe me emrat e fëmijëve tanë”, ka thënë Muqolli.
E, aktivisti Nysret Pllana, i cili është autor i një libër dokumentues për fëmijët martirë, kritikoi për harresë institucionet dhe shoqërinë.
“Qe 25 vjet rresht shkelin shqiptarët mbi gjakun e fëmijëve tanë të viktimizuar nga Serbia gjenociadiale dhe fashiste, me vetë faktin që qe 25 vite rresht asnjë shenjë e kujtesës historike nuk iu është vendosur këtyre fëmijëve. Kjo të jep të kuptosh se shqiptarët harresën e kanë defekt gjenetik dhe kjo është për keqardhje”, ka thënë ai. “Asnjë qeveri deri sot nuk e ka kryer obligimin e vetë për ngritjen e obeliskut të vrasjes së 1,432 fëmijëve shqiptarë, viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashiste”.
Dy vjet më parë Qeveria themeloi Komisionin ministror për memorialin për fëmijët e vrarë në luftë, gjatë viteve 1998-1999. Ngritja e tij është paraparë afër Aeroportit “Adem Jashari”, por ende nuk janë marrë veprime.