Siguria energjetike në Kosovë është ngritur si shqetësim edhe një ditë pasi që qytetarë të saj janë përballur me reduktime të rrymës. Në Zyrën e Rregullatorit për Energji është kërkuar hetim si dhe masa ndaj operatorëve për mosnominim të mjaftueshëm dhe për devijime nga planet e balancimit. Është kërkuar edhe kompensim për konsumatorët. Rreth furnizimit me energji, drejtuesit në KOSTT kanë zhvilluar një takim me ata të AKI-së, në të cilin është diskutuar rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit
Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i është kërkuar të enjten që të ndërmarrë hetim për t’i identifikuar përgjegjësit për kthimin e reduktimeve të energjisë elektrike të një dite më parë.
Ani se situata energjetike është stabilizuar, pas kthimit në funksion të blloqeve të termocentraleve të Korporatës Energjetike (KEK), në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë vlerësuar se çështja e mosnominimeve të mjaftueshme të energjisë dhe ajo e devijimeve të mëdha nga planet e balancimit nuk mund të trajtohet si problem teknik i izoluar.
“Ajo paraqet një rrezik sistemik për sigurinë e furnizimit dhe kërkon hetim të plotë rregullator për të identifikuar përgjegjësitë kontraktuale dhe institucionale. Konsumatorët nuk mund ta bartin koston e gabimeve në planifikim, në tregtim apo në menaxhim të sistemit. Çdo reduktim i furnizimit duhet të shoqërohet me transparencë të plotë, me masa ndaj palëve përgjegjëse dhe me zbatim të mekanizmave të kompensimit të paraparë me ligj”, kanë thënë në INDEP.
Një hetim i tillë është paralajmëruar edhe nga vetë ZRRE-ja, një ditë më parë.
E në një takim të zhvilluar të enjten mes ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Shaban Neziri, dhe drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, është ngritur si shqetësim siguria energjetike në Kosovë.
“Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit dhe cenimeve të sigurisë që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit elektroenergjetik”, kanë njoftuar në KOSTT lidhur me takimin.
E njohësi i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se në situata kur furnizuesi dështon që të sigurojë energji të mjaftueshme për furnizim të konsumatorëve, atëherë duhet të ndërhyjnë Kuvendi dhe Qeveria.
“Në rast se KESCO e ka të pamundur të sigurojë furnizim stabil me energji elektrike nëpërmjet importeve, atëherë duhet që me kohë të informohet ZRRE-ja. Ajo të informojë me kohë Parlamentin, por edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, ashtu që bashkërisht të gjejnë një zgjidhje për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike”, ka theksuar Haxhimusa.
Të enjten, në KEK kanë njoftuar se operimi aktualisht është duke u bërë me pesë njësi, duke prodhuar energji me kapacitet maksimal.
Sipas parashikimeve ditore, prodhimi vendor arrin deri në 900 megavatë/orë, ndërsa ngarkesa është deri në 1 mijë e 240 megavatë, gjatë orëve të pikut.
Kjo i bie që KESCO-ja duhet të importojë mbi 300 megavatë për orë për të siguruar energji të mjaftueshme për ta mbuluar konsumin.