Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë sërish presidente të Kosovës, duke theksuar se ajo më herët është zgjedhur në poste të larta shtetërore me mbështetjen e kësaj partie.
Në një shkrim në Facebook të enjten, Zulfaj ka thënë se Osmani është zgjedhur si kryeparlamentare dhe më pas si presidente me votat e Vetëvendosjes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas tij, dy nga tri pozitat më të larta në shtet – kryeparlamentari dhe presidenti – janë marrë nga Osmani me mbështetjen e Vetëvendosjes, ndonëse ajo nuk është anëtare e kësaj partie dhe karrierën politike e ka nisur te Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zulfaj rikujtoi se Osmani për herë të parë u vendos si kandidate për një post më të lartë nga LDK-ja në zgjedhjet e vitit 2019, kur u paraqit si kandidate për kryeministre, por sipas tij ajo nuk i fitoi zgjedhjet dhe më pas “u anashkalua nga negociatat për formimin e qeverisë, të cilat u udhëhoqën nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu”.
Ai shtoi se Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit në vitin 2020 si rezultat i koalicionit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndërsa në vitin 2021 u bë presidente pas fitores së koalicionit Lëvizja Vetëvendosje me listën Guxo.
Sipas Zulfajt, në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur rast që një president të zgjidhet nga opozita, duke theksuar se zakonisht ky post i ka takuar koalicionit fitues të zgjedhjeve.
Ai gjithashtu argumentoi se në zgjedhjet e fundit koalicioni qeverisës ka marrë sërish mbështetje të madhe, ndërsa deputetët më të votuar kanë qenë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Ai thotë se Vetëvendosja ka fituar më shumë në zgjedhjet e dhjetorit 2025 sesa kur ishte me Osmanin bashkë në zgjedhjet e 2021-s.
“Vjosa është figurë e nderuar, ish-kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”, ka shkruar Zulfaj ndër të tjera.