Arbëri

Këto do të jenë sanksionet e para që BE-ja do t’ia heqë Kosovës

Bashkimi Evropian dhe Kosova

Qeveria në detyrë është në pritje të Bashkimit Evropian, që në kuadër të heqjes graduale të sanksioneve, ta fillojë me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që prekin fusha si energjia, infrastruktura e të tjera.

Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe nga vetë BE-ja për KosovaPress, por theksojnë se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen, sipas tyre, nga një depërshkallëzim i qëndrueshëm në veri të vendit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë më 21 maj, bëri të ditur se kanë filluar gradualisht të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Klisman Kadiun, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, tha se heqja e masave është lajm i mirë. Ai tregon për KosovaPress, se cilat do të jenë masat e para që do të hiqen.

Megjithatë, ai shton se ato duhet të hiqen plotësisht sa më parë, pasi janë vendosur padrejtësisht.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

“Masat ndaj Kosovës u vendosën padrejtësisht në fund të qershorit të para dy viteve. Ka pothuajse një vit që kemi gjithashtu një rekomandim nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, për heqjen e tyre. Është një lajm i mirë, edhe pse i vonuar, që Bashkimi Evropian ka filluar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Siç është komunikuar edhe nga Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, ato po hiqen në mënyrë graduale. Nga ana jonë, ritheksojmë se masat duhet të hiqen sa më parë dhe plotësisht. Në kuadër të këtij procesi, BE-ja do të fillojë së shpejti me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që përfshijnë fusha si energjia, infrastruktura e të tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim të tij për KosovaPress.

Ndërkohë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaron për KosovaPress se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së disa masave.

Ajo deklaron se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen nga përparimi në terren në përputhje me pritshmëritë e BE-së për situatën në veri.

“Në dhjetor 2024, Këshilli deklaroi se BE-ja do të heqë gradualisht masat, paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Në këtë drejtim, Komisioni ka ndërmarrë tashmë hapat e parë drejt heqjes së disa prej masave. Hapat e ardhshëm varen nga përparimi në terren dhe janë të kushtëzuar me një de-përshkallëzim të qëndrueshëm në veri”, thekson ajo.