Arbëri

KFOR-i vazhdon me vendosjen e tabelave të reja përgjatë kufijve Kosovë-Serbi

KFOR

Ushtarët e KFOR-it kanë vazhduar vendosjen e tabelave të reja përgjatë kufijve të Kosovës me Serbinë. 

Këto tabela paralajmëruese, të vendosura në zona malore dhe pyjore, shënojnë qartë zonën e operimit të KFOR-it dhe ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve të paqëllimshme, thuhet në njoftimin e misionit të NATO-s.

“KFOR-i do të vazhdojë këto përpjekje për të promovuar ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në Kosovë, përmes patrullimeve të rregullta në veriun e Kosovës dhe pranë Vijës Administrative Ndarëse”, thuhet në njoftim. 

Tutje thuhet se KFOR-i punon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si përgjegjës për sigurinë.

Vendosja e tabelave të reja nga KFOR-i ka filluar nga korriku.