Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kllokoqi për gazin amerikan: Më shumë debat politik, ka munguar ndonjë projekt konkret

Eksperti në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Arben Kllokoqi, ka vlerësuar se debati për investimin amerikan në sektorin e gazit në Kosovë ka qenë më shumë politik sesa i bazuar në analiza konkrete, duke theksuar se deri më tani nuk është bërë publik ndonjë koncept i qartë për projektin.

Kllokoqi ka thënë se për të vlerësuar një investim të tillë duhet së pari të sqarohet se për çfarë do t'i nevojitet Kosovës gazi dhe nëse ekziston kërkesa për të.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ka qenë më shumë debat politik, nuk ka pas substancë. Ka qenë vështirë me pas qëndrim ndaj këtij fakti, së paku nuk është publikuar ndonjë koncept se çka parashihet. Kam menduar se çka mund të jetë në këtë aspekt dhe si mund t’i qaset Qeveria apo ata që po avokojnë. E rëndësishme është të dihet forma në të cilën ky investim mund të bëhet”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, një nga mundësitë është që gazi të përdoret për ndërtimin e një termocentrali për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë rast, ai theksoi se projekti duhet të analizohet në kontekstin e tregut të energjisë elektrike dhe të krahasohet me burimet e tjera të energjisë për të parë se sa mund të kontribuojë.

Kllokoqi përmendi edhe mundësinë e tretë, ndërtimin e një gazsjellësi që do të mundësonte transportimin e gazit përmes territorit të Kosovës.

“Vetëm kjo e treta mund të quhet investim strategjik, sepse i mundëson një partneri të përdorë territorin tënd”, ka thënë ai.

Ai shtoi se një projekt i tillë do të ishte i mirëpritur vetëm nëse ekziston një koncept i detajuar që e përcakton qartë mënyrën e realizimit dhe përfitimet e tij.

Derisa SHBA-ja ka kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e projektit rajonal për gazin amerikan, Qeveria në detyrë ka dhënë një propozim tjetër. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në prill ka deponuar në Ambasadën Amerikane një kërkesë për mbështetje për projekte që lidhen me gazifikimin e qymyrit, duke u thirrur në rezervat e mëdha të linjitit dhe në politikat e presidentit Donald Trump për mbështetjen e industrisë së qymyrit.

Kllokoqi e sheh idenë e Qeverisë në detyrë për gazifikimin e thëngjillit më shumë si një deklaratë politike, pasi thotë se ende mungon një studim i fizibilitetit.