Arbëri

Koci: Protestat e studentëve në Serbi mund të çojnë në luftë civile ose diktaturë

Melazim Koci

Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, ka paralajmëruar për pasojat potencialisht të rënda të protestave studentore që po zhvillohen në Serbi, duke u mbështetur në analizat e profesorit universitar në New York, Branko Millanoviq.

“Është evidente që kemi të bëjmë me një protestë të gjerë që ka përfshirë të gjithë Serbinë. Por ekziston edhe një rrezik tjetër. Profesori Millanoviq në një analizë ka theksuar se këto protesta mund të çojnë vendin ose në diktaturë ose në luftë civile. Dhe mendoj se ka të drejtë”, ka thënë Koci në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, përplasja mes pushtetit dhe protestuesve është shumë e thellë dhe asnjëra palë nuk po jep shenja të tërheqjes.

“Vuçiqi nuk është i gatshëm për koncesione, ndërsa as protestuesit nuk po tërhiqen”, shtoi ai.

Koci, duke cituar Millanoviqin, thotë se edhe qasja e lëvizjes studentore ka devijuar nga qëllimet fillestare.

“Profesori e thotë edhe një gjë, nacionalizimi i Vuçiqit nuk mund të luftohet me nacionalizëm, mendon se lëvizja studentore ka devijuar nga premisat fillestare. As që ka pasur platformë politike, është lëvizje që nuk është deklaruar për shumë çështje, nuk dihen liderët dhe ai supozon se e gjitha mund të përfundojë në luftë civile apo në diktaturë, pasi thotë se regjimi i Vuçiqit mund ta shtypë me dhunë protestën”, ka thënë Koci.

Siç thotë ish-kryeredaktori i REL-it, është hera e parë që Vuçiqi po sfidohet pas 13 vjetësh në pushtet. Ai beson se në zgjedhjet e reja, do ta ketë të vështirë qëndrimin në pushtet.

“Por është hera e parë pas 13 vjetësh që Vuçiqi po sfidohet seriozisht dhe nuk do ta ketë të lehtë ta përballojë këtë lëvizje. Në zgjedhjet e ardhshme, përqindjet që i ka fituar më herët nuk do t’i përsëriten, dhe nuk jam i sigurt se ai do të mbetet në pushtet”, vijoi ai.

Sa i përket rolit të Bashkimit Evropian, Koci shprehu skepticizëm për qëndrimin e Brukselit.

“BE-ja vazhdon ta shohë Vuçiqin si garantues të stabilitetit në Ballkan dhe nuk pritet të distancohet lehtë nga ai”, përfundoi Koci.

Studentët në Serbi organizojnë protesta dhe bllokada nëpër fakultete tash e sa muaj, duke kërkuar përgjegjësi penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor. Nga maji, kërkesa e tyre kryesore janë zgjedhjet e reja.