Politologu Melazim Koci ka thënë se Serbia është në avantazh sa i përket raportit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Koci ka deklaruar se kjo mund të vërehet edhe te takimet e liderëve të të dyja vendeve me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë qëndrimit të tyre në New York.
Ai ka thënë se takimi i presidentes Vjosa Osmani me Rubion nuk ka qenë i të njëjtit nivel si ai i takimit të Rubios me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Takimi i znj.Osmani me z.Rubio nuk është i nivelit që ishte ai i z.Rubio me presidentin serb Vuçiq dhe kjo është hera e dytë që përsëritet, edhe para një muaji apo një muaji e gjysmë gjatë qëndrimit të Osmanit në Uashington, ministri i jashtëm serb Gjuriq qëndronte në Uashington, ai u prit nga Marco Rubio, por jo edhe presidentja. Mendoj se ka disproporcion për shkak të raporteve jonormale aktualisht ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Është absurde që Kosovës t’i pezullohet fillimi i dialogut strategjik ndërkaq me Serbinë të fillohet. Do të duhej të ishte e kundërta. Serbia është në avantazh sa i përket raportit me SHBA-në”, ka thënë ai.
Koci ka thënë se në situatën aktuale të Kosovës me Amerikën, nuk është i rëndësishëm qëndrimi i Kosovës, por i SHBA-së.
“Nuk është e rëndësishme çka thotë z.Kurti, e rëndësishme është se çka thonë Shtetet e Bashkuara, për raportin Kosovë-Amerikë është i rëndësishëm qëndrimi i SHBA-së jo i yni, ne nuk jemi superfuqi. Tentimet për t’i amortizuar këto qëndrime nuk janë në shërbim Kosovës, Kosova duhet realisht t’i vlerësojë gjërat në mënyrë që t’i përmirësojë. Kosova mund të mbijetojë edhe pa Bashkimin Evropian, pa fqinjët e pa të gjithë, por nuk mund të mbijetojë pa mbështetjen e SHBA-së. SHBA-ja nuk ka kërkesa ndaj Kosovës”, ka theksuar ai.
Derisa ka folur për krizën institucionale, Koci ka vlerësuar se disponimi i të gjitha partive politike është të shkohet në zgjedhje të përgjithshme.
“Nga fillimi i krizës, bllokadës, jo vetëm se nuk i kanë numrat por as nuk ka pasur vullnet e entuziazëm nga marsi për ta bërë qeverinë. Ende mendoj se nuk ka gatishmëri. Askush nuk e do pataten e nxehtë në këtë moment duke e ditur se pas 4-5 muajsh do të shkohet në zgjedhje. Druaj që deri në fillim të vitit të ardhshëm do të mbetemi në këtë situatë”, është shprehur ai.