Kosova përjetoi në 2025-n një prej krizave më të gjata politike e institucionale të pasluftës si rezultat i mungesës së kompromisit dhe interpretimeve të ngurta që subjektet politike i bënë normave për krijimin e institucioneve të reja. Ajo që filloi si proces i zakonshëm zgjedhor në fillim të vitit u shndërrua gradualisht në ngërç njëvjeçar, që e la shtetin pa institucione.
Pas zgjedhjeve, Kuvendi u kthye nga hapësirë zgjidhjeje në simbol të bllokadës.
Rrugëtimi nga fushata elektorale e fillimvitit e deri tek shpërndarja e Kuvendit dhe thirrja e zgjedhjeve të reja në fund të 2025-ës, pasqyroi jo vetëm krizën e numrave parlamentarë, por edhe krizën e vullnetit politik për të krijuar qeverinë e re.
Ngërçi që nisi në prill
Ngërçi institucional mori formë të qartë më 15 prill, kur u nisi seanca konstituive e Kuvendit. Që nga ajo ditë, “tempulli i demokracisë” u shndërrua në skenë bllokade me seancën më të gjatë që njeh Kosova, por në të cilën për muaj rresht nuk pati epilog.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve me 48 deputetë, insistoi për disa muaj në një propozim të vetëm për kryetare të Kuvendit – Albulena Haxhiun. Ky qëndrim u justifikua nga LVV-ja si e drejtë e fituar nga rezultati zgjedhor, ndërsa nga opozita u cilësua si kokëfortësi politike. Dhjetra vazhdimet e seancës nuk dhanë rezultat dhe e shndërruan Kuvendin në simbol të paralizës institucionale.
Vullneti për ndërtimin e një koalicioni qeverisës mbeti i mangët. Opozita refuzoi bashkëpunimin me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, duke ia përmendur faktin se pas mbylljes së kutive të votimit në mbrëmjen e 9 shkurtit atyre iu referua si “hajvanë”.
LVV-ja i drejtoi ftesë zyrtarisht për bashkëqeverisje vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila e refuzoi atë, duke propozuar qeveri gjithëpërfshirëse si zgjidhje kalimtare.
Ky propozim nuk u përkrah nga LVV-ja, ndërsa hendeku i dallimeve mes partive u thellua edhe më tej në organin ligjvënës, ku LVV-ja më pas tentoi ta ndryshojë mënyrën e votimit të kryeparlamentarit nga procedura e hapur në votim të fshehtë.
Nga 1 maji, kryesuesi Avni Dehari ndryshoi këtë formë votimi, duke anashkaluar votimin e hapur dhe duke propozuar formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë. Kjo u kundërshtua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) , Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe (LS), të cilat refuzuan të propozonin anëtarë për komisionin.
Aktivizimi i Kushtetueses
Përgjatë kësaj situate, Gjykata Kushtetuese u sfidua disa herë nga partitë opozitare për të interpretuar bllokadën institucionale. Në tri aktgjykimet e saj, ajo konstatoi se zvarritja e konstituimit të Kuvendit cenonte rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit.
Fillimisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deriatëhershme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.
Më pas, PDK-ja dhe LDK-ja dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.
Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime për konstituimin e Kuvendit.
Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin mbi dy lëndët e paraqitura përmes të cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës nga ana e Kryesuesit Avni Dehari ishte shkelje, dhe e obligoi Kuvendin që t'i kthehet votimit të hapur dhe urdhëroi që një kandidat për kryeparlamentar të propozohet jo më shumë se tri herë.
Gjykata sugjeroi nevojën për kompromis politik, fleksibilitet në propozime dhe respektim të frymës së Kushtetutës për të garantuar funksionalitet institucional.
Vetëm pas aktgjykimit, Kuvendi arriti që më 26 gusht ta zgjedhë Dimal Bashën si Kryetar të Kuvendit, duke i dhënë fund kapitullit të gjatë të bllokadës. Ai u vendos në krye të Kuvendit edhe me votat e Partisë Demokratik, zgjidhje që erdhi si domosdoshmëri pas aktgjykimeve të Kushtetueses dhe nuk ishte produkt i një marrëveshjeje politike substanciale.
Problem politik u bë më pas edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Kushtetuesja u sfidua edhe nga Lista Serbe, meqë asnjë kandidat i saj nuknu zgjodh nënkryetar. Me votimin që ndryshe nga praktika e deritashme u nda, Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit nga komunitetit jo shumicë jo serbe, ndërsa i propozuari serb, Slavko Simiq nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet. Meqë Lista Serbe refuzonte propozimin e kandidatëve tjerë, kryeparlamentari Basha vuri në funksion mekanizmin e shortit, ku u vunë në votim të tetë kandidatët e mbetur të Listës Serbe, por që s’morën votat e mjaftueshme. Vota nuk siguroi as Nenad Rashiq, i vetmi serb që fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës pa qenë kandidat i Listës Serbe.
Por Kushtetuesja që vendosi mbi ankesën e Listës Serbe konstatoi se pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar. Pas thirrjes së seancës u përsërit procedura e njëjtë, me ndryshimin ku Lista Serbe i propozoi të gjithë deputetët por asnjëri nuk i mori votat e domosdoshme. Pasi u shterën emrat nga ky subjekt, në votim u hodh Nenad Rashiq, i cili me votat e LVV-së dhe LDK-së u zgjodh nënkryetar. Lista Serbe e kontestoi këtë vendim dhe rasti është duke u trajtuar ende nga Kushtetuesja.
Megjithëse konstituimi u shpall i mbyllur, ai e la të hapur krizën e radhës, atë për formimin e qeverisë.
Përpjekja e parë për ta formuar kabinetin qeveritar dështoi kur Albin Kurti nuk arriti t’i siguronte 61 votat e nevojshme në Kuvend. Në seancën e 26 tetorit ai mori 56 vota për, 52 ishte kundër dhe 4 abstenuan. Edhe përpjekja e dytë, me mandatarin Glauk Konjufca, përfundoi pa sukses, duke e zhytur vendin në një cikël të përsëritur dështimesh politike. Konjufca u propozua për mandatar nga Vetëvendosja e subjektet tjera nuk propozuan mandatar, ndonëse për këtë u ftuan në konsultë nga presidentja Vjosa Osmani.
Pasojat e bllokadës
Kostoja e këtij ngërçi politik e institucional u reflektua drejtpërdrejt në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit. Buxheti për vitin 2026 mbeti i pamiratuar, duke krijuar pasiguri financiare për institucionet publike. Kosova humbi mundësinë për të përfituar në 2025-n nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend. U humbën 80 milion euro nga totali i shumës prej mbi 800 milionë euro të zotuara nga BE-ja.
Në fund të 2024-ës, Komisioni Evropian morri vendim për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave. Në takimin e 23 tetorit KE-ja miratoi agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Krahasuar për kokë banori Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë.
Sipas një dokumenti të Komisionit Evropian, mjetet nga Plani i Rritjes për Kosovën mes tjerash kanë ndikim direkt edhe në mirëqenien e qytetarëve, përmes fuqizimit ekonomik dhe uljes së papunësisë.
Tek përmenden rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin PISA, përmes fondeve të BE-së synohet ndryshimi i kësaj situate.
Bordet pa anëtarë
Po ashtu shumë borde të institucioneve publike mbetën pa anëtarë, pasi mandatet e tyre skaduan pa mundësi zëvendësimi, duke paralizuar vendimmarrjen në sektorë kyç.
Që nga 5 gushti vendime nuk mund të marrë Agjencia Kosovare e Privatizimit, pasi gjashtë prej tetë anëtarëve të bordit u ka skaduar mandati. Prej muajsh pa bord funksional ka mbetur Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), duke e lënë sektorin e mediave audiovizuale pa mbikëqyrje efektive, në kohën kur vendi përballet me fushata të ashpra dezinformuese.
Po ashtu disa mandate përfunduan brenda këtij viti. Avokatit të Popullit i përfundoi mandati më 28 shtator derisa katër zëvendësavokatëve të Popullit u ka përfunduar mandati më 14 qershor.
Pesëmbëdhjetë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës u skadoi mandati në nëntor të këtij viti.
Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet pa kuorum në rast të dorëheqjes ose shkarkimit të ndonjërit prej gjyqtarëve. Aktualisht Kushtetuesja i ka shtatë gjyqtarë aktivë dhe largimi eventual i ndonjërit prej tyre do ta pamundësonte kuorumin në vendimmarrje.
E njëri prej gjyqtarëve të këtij institucioni u bë shkak që presidentja ta tërheq kërkesën rreth konstituimit të Kuvendit, me arsyen se Radomir Laban paraqet rrezik për sigurinë kombëtare. Që nga fundi i 2024-ës Kushtetuesja mbeti pa dy gjyqtarë pasi iu skadoi mandati Gresa Caka-Nimanit (kryetare) dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi. Zgjedhja e anëtarëve të rinj bëhet nga Kuvendi.
Pas gati një viti të tërë bllokade, përplasjesh e pamundësisë për ta zgjedhur qeverinë, rruga e vetme mbeti shpërndarja e Kuvendit nga ana e Presidentes Vjosa Osmani. Më 28 dhjetor, qytetarët iu drejtuan sërish kutive të votimit, me pritjen që ky cikël i ri zgjedhor do t’i japë fund një prej ngërçeve më të gjata institucionale që ka përjetuar vendi pas shpalljes së pavarësisë.