Viti 2025 u shënua nga kriza energjetike në Kosovë, e shoqëruar me rritje të çmimit të rrymës e importe të larta. Rënia e prodhimit vendor dhe rritja e varësisë nga importi thelluan pasigurinë energjetike, ndërsa akuzat për lidhje me “mafinë energjetike” dhe përfitime të paligjshme u shndërruan në temë qendrore të debatit politik. Në fundvit, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të energjisë, ndërsa frika për rritje të re të tarifave në pjesën e parë të 2026-s mbetet e pranishme
Fjala “energji” u bë kryefjala e vitit 2025. Në një vit të trazuar politikisht, kriza energjetike u shndërrua në një nga betejat më të ashpra publike. Përveç protestave të qytetarëve kundër shtrenjtimit të rrymës dhe kundërshtimeve të bizneseve për daljen në tregun e hapur, energjia u kthye në arenë përplasjeje mes partive politike, me akuza të ndërsjella për keqmenaxhim dhe lidhje me atë që u quajt “mafia energjetike”.
Shteti hyri në vitin 2025 me paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës. Rritja e kostos së importit të energjisë gjatë 2024-tës u përdor si arsyetim nga KOSTT, KEDS dhe KESCO për të kërkuar rritje tarifave prej 35 për qind.
E kësaj kërkese ia dha “aminin” Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Jo në nivelin e kërkuar, por me 16.1 për qind.
Por, që rryma të mos shtrenjtohet në nivel të kërkuar, ky institucion para marrjes së vendimit për tarifa njoftoi për daljen në treg të hapur të rreth 1,300 bizneseve që kanë mbi 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro.
Kundërshtimet e qytetarëve përmes disa protestave të organizuara nga grupi “Asnjë cent më shumë”, nuk ia ndërruan mendjen anëtarëve të Bordit të ZRRE-së. Në vendimmarrje nuk patën efekt as 600 komente të dorëzuara nga qytetarë e institucione të ndryshme, që kundërshtuan shtrenjtimin.
Faturat u rritën për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
“Konstatoj që me pesë vota për aprovohen tarifat me pakicë për konsumatorët me shërbim universal, siç janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar. Të gjithë konsumatorët që kanë të drejtë të furnizohen me tarifa me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë”, tha kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në mbledhjen kur u miratuan tarifat e reja.
Një konsumator që në 2024-tën ka shpenzuar energji elektrike në vlerë mesatare prej 50 eurosh, në 2025 pagoi faturën për 8 euro më të lartë.
Rritja e tarifave të energjisë nxori në pah edhe dyshimet për marrëveshje mes KESCO-s dhe kompanive që merren me tregtim të energjisë, e që dyshohet se rritën çmimet e importit të rrymës gjatë 2024-tës, kosto që KESCO kërkoi t’iu bartet konsumatorëve.
E kjo u vu në dukje në raportet që KESCO dorëzoi në ZRRE për aplikim për të hyrat maksimale të lejuara.
“Në vitin 2024, KESCO për kapacitetet ndërkufitare ka paguar një çmim mesatar prej 30 euro/MW, me një total prej 9.06 milionë eurosh, përderisa në vitin 2023 kemi paguar mesatarisht 5 euro/MW me një total prej 0.9 milionë eurosh, prandaj është e domosdoshme gjatë përcaktimit të çmimit të energjisë të kalkulohet edhe kostoja e pritshme për kapacitetet ndërkufitare”, thuhet në aplikimin e KESCO-s në ZRRE.
E sipas të dhënave, deri në 800 euro i ka kushtuar KESCO-s për ta sjellë një megavat energji elektrike përmes kompanisë “Noa Energy Trade” gjatë 2024-tës, pa përfshirë këtu çmimin e energjisë elektrike.
Një gjë të tillë e ka pranuar edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kur Kosova mori kryesimin e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë. Kjo kosto, sipas saj, është paguar për shkak të bllokimit të linjave interkonektive nga Serbia. Problemet e njëjta kanë vazhduar edhe sivjet, kur importi u rrit në vlera rekorde.
“Serbia obligohet që deri më 1 korrik 2026, më së largu, ta hapë linjën dhe ta lirojë tregtimin në linjat dhe të lirojë linjat interkonektive me Kosovën që do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe do të ketë ndikim në uljen e çmimeve të kapaciteteve interkonektive”, ka thënë Rizvanolli.
Si ilustrim, ajo përmendi datën 2 dhjetor 2024, kur çmimi i kapacitetit të transmisionit u rrit në 701 euro për megavat orë.
Rritja e importit
Rritja e importit dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar pasigurinë për sektorin energjetik përgjatë vitit.
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në shtator, importi është rritur për 48 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke hapur debatin për mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë në fillimvit të 2026-s.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, gjatë kësaj periudhe është regjistruar rënie e prodhimit vendor për afro 20 për qind.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, tha se importi në pesë vjetët e fundit është katërfishuar krahasuar me pesë vjetët paraprakë. Ai tha se rritje e madhe vërehet edhe kur krahasohet 3-mujori i vitit të shkuar me atë të sivjetmë.
“Shihet një rritje enorme e importeve, për diku trefishim të sasisë dhe më shumë shqetësuese në këtë është se kjo sasi e importeve është para se të fillojë procesi i renovimit të Kosovës B. Kjo e rrit edhe frikën se do të kemi ndoshta nevojë për korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026”, ka thënë Haxhimusa.
Nga viti 2015 e deri në vitin 2020, Kosova ka importuar energji në vlerë prej rreth 270 milionë eurove, ndërsa nga viti 2020 deri në vitin 2025 kjo shifër është rritur në afro 840 milionë euro.
Rritja e importit ka ndodhur paralelisht me rënien e blloqeve të termocentraleve në KEK.
Akuzat për “mafinë energjetike”
E në muajt e fundit, kur intensiteti i akuzave u rrit me t’u afruar zgjedhjet e parakohshme, çështja e importit u kthye në betejë mes partive politike. Ato opozitare kanë hedhur akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, me pretendimin se ka importuar energji elektrike në sasi të mëdha, dhe me këtë e ka bërë përfitues Vuk Hamoviqin, të birin ish-shefit të Armatës Jugosllave, Rade Hamoviq.
Hamoviq, përmes kompanisë së tij EFT, është një prej furnizuesve kryesorë të energjisë elektrike në Ballkan. Më parë kanë qarkulluar akuza se LVV-ja ka importuar rrymë përmes kompanisë NOA, e cila ka lidhje indirekte me EFT-në.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, situatën energjetike e cilësoi si “hajninë më të madhe të kryer nga mafia energjetike”.
“Pyetja është pse nuk po luftohet kjo mafi nga organet qeveritare? Përgjigjen e dini të gjithë”, ka thënë Bajrami, duke aluduar në pretendimet e ngritura se partia në pushtet ka lidhje me kompaninë “NOA Energy”.
Por për t’i hedhur poshtë këto akuza fillimisht doli deputeti i LVV-së, Armend Muja. Ai në një konferencë për media tha se importi nga Serbia është minimal dhe nuk ka ndikim në furnizimin e shtetit me energji.
Edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mohuar akuzat e ngritura nga opozita.
“Po thuhet që disi qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje është e lidhur me kompaninë EFT. Dua të them qartë: asnjë zyrtar i qeverisë dhe as Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me EFT-në. Është komplet gënjeshtër. E dyta, po thuhet se Kosova po importon nga EFT. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë”, ka thënë ajo.
Ministrja në detyrë akuzoi partitë e ish-opozitës që gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet kanë blerë energji elektrike nga EFT, prej vitit 2008 deri në vitin 2018.
Liberalizimi që rriti kostot
Problematikë që e karakterizoi sektorin energjetik është edhe detyrimi që 1,300 biznese të dalin në treg të hapur të energjisë. Kjo u bë përmes një njoftimi nga ZRRE-ja, në mars të këtij viti, e sipas të cilit nga 1 qershori bizneset me mbi 10 milionë euro qarkullim në vit ose me mbi 50 punëtorë do të dalin në treg të lirë të energjisë.
Bizneset e kundërshtuan këtë. Përfaqësues të tyre thanë se nuk ka kushte, se kjo do ta rëndojë situatën dhe se disa biznese edhe mund të mbyllen. Paralajmëruan edhe rritje të çmimeve të produkteve të tjera, si pasojë e rritjes së kostos.
Kundërshtimet u ashpërsuan edhe më tej me të pranuar faturat e rrymës për dy deri në trefish më të larta sesa parapraket.
Përfaqësues të bizneseve deponuan edhe dhjetëra padi nëpër gjykata. Një të tillë Oda Ekonomike (OEK) e bëri edhe në Supreme. E, kjo gjykatë shfuqizoi nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, që kanë të bëjnë me kriteret e daljes në treg të hapur.
Por, vendimi u interpretua ndryshe nga OEK-u si paditëse dhe ndryshe nga ZRRE-ja si e paditur.
Sipas OEK-ut, vendimi e kthen në pikën zero procesin. Por, në ZRRE thanë se vendimi i saj për tarifa me pakicë për vitin 2025 nuk është i bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit.
Më pas, OEK deponoi kallëzim penal ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të ZRRE-së për moszbatim të vendimit të Supremes.
E sipas ZRRE-së, kthimi i këtyre konsumatorëve në tarifa të rregulluara do të dëmtonte rreth 750 mijë konsumatorët familjarë me rritjen e tarifave të energjisë.
Dalja në treg të lirë e bizneseve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, por lënda nuk ka marrë epilog.
Kthimi i reduktimeve
Me rënien e temperaturave u rrit edhe konsumi e edhe faturat. Me të nisur dimri, qytetarët kanë ndier më shumë rritjen e tarifave që u bë në maj.
E, në disa komuna qytetarët janë përballur edhe me ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT-it, Shaban Neziri, tha se ndërprerjet u bënë shkaku i mbingarkesave në rrjet. Ai kërkoi nga qytetarët që të ulin konsumin apo ta zhvendosin jashtë orëve të pikut.
Rritja e konsumit u atribuohet rënies së temperaturave dhe rritjes së nevojës për ngrohje që zakonisht bëhet me rrymë, si dhe ardhjes së mërgimtarëve për fundvit.
E në ditën kur u adresuan thirrje për kursim, Blloku B1 i Termocentralit Kosova B ra nga sistemi, duke i lënë në funksion blloqet A3, A4 dhe A5, si dhe atë B2.
Mes akuzave për rritje të importit e rënie të prodhimit, ministrja në detyrë, Rizvanolli foli për punët në modernizimin e termocentraleve. Ajo tha se punët në Bllokun B2 kanë përfunduar dhe se vitin e ardhshëm e njëjta do të bëhet edhe në Bllokun B1, ndërsa njësitë e TC “Kosova A” po rehabilitohen.
Me rënien e prodhimit vendor dhe rritjen e importeve, frika për tjetër rritje të tarifave në vitin 2026 mbetet reale, duke e bërë energjinë jo vetëm çështje ekonomike, por edhe një nga temat më të nxehta politike.