Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist: Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, e rrezikshme për Kosovën

kolektivi per mendim dhe veprim feminist

Grupi aktivist, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, e ka vlerësuar të rrezikshëm për Kosovën pjesëmarrjen e shtetit në Bordin e Paqes të themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump. 

Sipas këtij grupi, lëvizja e presidentes Vjosa Osmani që ta fusë Kosovën në këtë bord “e legjitimon gjenocidin në Gazë”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kolektivi përmes një reagimi ka shprehur se Bordi i Paqes synon ta menaxhojë Gazën nëpërmjet vazhdimit të nënshtrimit, uzurpimit dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore e njerëzore. Bordin e ka cilësuar “ndërmarrje uzurpatore”. 

“Lëvizja e presidentes Osmani shënon një rreshtim i cili përveç se e legjitimon gjenocidin dhe e bën Kosovën bashkëfajtore në kolonializimin e mëtejshëm të popullit palestinez, paraqet precedent të rrezikshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës. FSK-ja, e formuar për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, do të dërgohet për të mbajtur një rend gjenocidal, e në këtë mision do të rrezikohen dhe të vriten në fushëbetejë me ata/o që luftojnë për lirinë e tyre”, thuhet në reagimin e grupit.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës është pozicion “krye në vete” i presidentes Osmani dhe “manovrim populist i cili e operacionalizon pro-amerikanizmin si kartë politike që garanton mandat”.

Tutje Kolektivi ka kërkuar që çështja e anëtarësimit në Bordin e Paqes të mos ratifikohet në Kuvend. 

“Ne qëndrojmë për çlirimin e çdo populli dhe të tokave të tyre. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe rezistencën e përpjekjet e tyre për çlirim, sot e përgjithmonë”, thuhet në reagim.

Kosova është shprehur e gatshme të dërgojë trupa në mision paqeruajtës në Gazë.