Komisionari i Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisha Mlladenoviq, e ka kualifikuar shkelje të Kushtetutës, zëvendësimin e tabelave të komunikacionit të shkruara në alfabet cirilik në veri me ato zyrtare edhe në shqip. Në këtë pretendim, ai i referohet pikës 9 të Nenit 59 të Kushtetutës. Por njohësi i aktit më të lartë juridik të Shtetit, Mazllum Baraliu, thotë se veprimi nuk përbën kurrfarë shkelje. E në Qeveri nuk japin përgjigje për dilemën e ngritur
Shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve e ka kualifikuar komisionari i Gjuhës, Slavisha Mlladenoviq, zëvendësimin në veri të tabelave të shkruara në cirilike me ato zyrtare të komunikacionit.
Një ditë pasi shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kërkoi që për çështjen e tabelave të konsultohet zyra e tij, Mlladenoviq shkroi në Facebook se veprimi përbën shkelje të Kushtetutës.
“Veprimi i djeshëm i ndërrimit të shenjave të komunikacionit/topografik në rrugën rajonale Mitrovicë-Leposaviq është para së gjithash shkelje e nenit 59, pika 9 e Kushtetutës, e rrjedhimisht edhe shkelje e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Tabelat e vendosura rishtazi duhet të zëvendësohen me të reja që, në përputhje me Kushtetutën, janë me alfabet cirilik”, ka thënë Mlladenoviq.
Pika 9 e Neni 59 të Kushtetutës, së cilës i është referuar Mlladenoviq specifikon se pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe që janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse.
E njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se shenjat në Kosovë duhet të përdoret alfabeti latin e jo ai cirilik.
“Gjuha serbe aty ku duhet të përdoret si gjuhë e dytë do të duhej të ishte në latinicë, me shkronja latinicë siç quhet në fjalorin e tyre dhe jo me cirilike. Cirilica askund në Kushtetutë nuk përmendet dhe nuk duhet të përdoret dhe është e papranueshme, sepse madje edhe në rajonet në Serbi, serbishtfolëse, ka predominancë shkrimi latin ose varianti i shkrimit latin të gjuhës serbe e jo ai i cirilikes”, ka thënë Baraliu.
Tabelat me emërtime edhe në shqip të vendbanimeve në veri janë vendosur të enjten, porse vetëm një ditë pas janë vandalizuar, duke u mbuluar me ngjyrë.
Për këtë, Baraliu thotë se do të duhej të pasonte një reagim nga ndërkombëtarët.
“Është konsideroj çështje e cila ndoshta më shumë do të meritonte kujdes dhe vëmendje se si është e mundur që këta zotërinjtë të mos reagojnë për akte vandale, se ky është akt vandalizëm dhe akt shoviniste e nacionalist i atyre atje, kush i ka bërë këto dhe po i bën Serbia që ta fshijnë gjuhën shqipe”, ka thënë Baraliu. “Pra gjuha shqipe është e para, gjuhët e tjera janë menjëherë me të dhe pas saj. Prandaj nuk ka këtu diskriminim por ka favorizim, kështu me veprimet që po i bëjnë këta zyrtarët e Brukselit dhe të tjerët që kanë ardhur këtu dhe po i fryjnë zjarrit, dhe nuk do të duhej kështu të bënin, por të ndihmojnë që mos të reagojnë, të mos jenë ata censorët kujdestarë për të reaguar për çdo gjë me vend e pa vend, por t’u ndihmojnë proceseve të stabilizimit të Kosovës dhe perspektivës dhe demokracisë”.
Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse ka pasur konsultim me Zyrën e Komisionarit për Gjuhë që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, para vendimit për ndërrimin e tabelave. E në Qeveri nuk kanë komentuar pretendimin për shkelje të Kushtetutës, që e dha Komisionari Mlladenoviq.