Komisioni për Legjislacion ka miratuar me 7 vota për dhe 2 kundër Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Diskutimet u përcollën me përplasje mes pushtetit dhe opozitës për procedurat dhe përmbajtjen e tij.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky projektligj synon të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe të forcojë mekanizmat kundër pasurisë së pajustifikueshme, duke theksuar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e institucioneve relevante.
Ajo shtoi se projektligji ka kaluar nëpër tri opinione të Komisioni i Venecias dhe dy shqyrtime të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se konfiskimi civil është konfirmuar si instrument i ligjshëm.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, ngriti shqetësime për mungesën e konsultimit publik dhe për shtrirjen kohore të ligjit.
E pyetur për mungesën e konsultimit publik, Gërvalla tha se një gjë e tillë nuk ishte konsideruar e nevojshme në këtë fazë.
“Kemi marrë rekomandimin nga departamenti ligjor tek ne por edhe nga ZKM që nuk është i nevojshëm diskutimi i serishëm publik”, tha ajo.
Deputeti i VV-së, Vigan Qorrolli, e mbështeti projektligjin duke e cilësuar si të domosdoshëm për sistemin institucional dhe në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se mungesa e konsultimit publik dhe rreziku për rrëzim në Gjykatën Kushtetuese mbeten shqetësime serioze.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, kritikoi procedurën e përshpejtuar dhe mungesën e trajtimit të plotë të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në përgjigje, ministrja Gërvalla tha se ligji nuk është ndryshuar nga versioni i kaluar dhe se vërejtjet e institucioneve janë adresuar, ndërsa shtoi se projektligji nuk prek qytetarët që nuk janë zyrtarë publikë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur dy herë të antikushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në vendimin e parë të vitit 2024, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve e ka shpallur Ligjin për Byronë Shtetërore të pavlefshëm në tërësinë e tij.
Ndërsa, në janar të këtij viti, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi ka bërë shkelje të rregullave kur e ka kaluar këtë ligj.
Me këtë ligj synohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ketë dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.