Arbëri

Komuna e Fushë-Kosovës e subvencionon vetveten

Dobësi të shumta ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në dhënien e subvencioneve nga Komuna e Fushë-Kosovës gjatë vitit 2020. Përveçqë kishte ndalur për vete disa nga këto subvencione, një pjesë të tyre e ka dhënë duke mos respektuar Rregulloren e Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve

Komunarët e Fushë-Kosovës nuk e kanë shpërndarë tërë mekanizmin bujqësor të dedikuar për fermerë. Disa mjete Komuna i ka ndalur për vete. Megjithatë, të njëjtat nuk i ka regjistruar si pasuri të Komunës. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin e saj për vitin 2020, ka gjetur edhe të tjera dobësi te subvencionet dhe transferet e kësaj komune.

“Gjatë ekzaminimit fizik, kemi identifikuar që ‘Furnizimi me mekanizëm bujqësor’ (96 copë) për fermerët përfitues të Komunës, në vlerë prej 70,342€, nuk ishte shpërndarë i gjithi, si: Trimer Kositëse bari (2 copë), Kultivator WM 1100A-6 (2copë), Kositëse me benzinë Beker LP-LM61 (2copë), Prerëse bari profesionale për fusha futbolli, Traktor villager VT 1000HD dhe Prerëse bari për parqe dhe fusha futbolli, Traktor villager VT 980, por ishin mbajtur në depo të Komunës për qëllim të mirëmbajtjes për nevojat e saj”, thuhet në raportin e ZKA-së. “Vlera e tyre totale, sipas furnizimit, është 6.710€. Mekanizmat bujqësorë të mbajtur në depo nuk ishin regjistruar si pasuri e Komunës. Arsyetimi nga zyrtari përgjegjës ishte që disa nga furnizimet/mekanizmi bujqësor, janë destinuar për nevojat të Komunës për mirëmbajtje të hapësirave komunale”.

Sipas Auditorit, mosshpërndarja e gjithë mekanizmit bujqësor për fermerët e Komunës, për çfarë është paraparë edhe me thirrjen publike, është në kundërshtim me rregulloret e subvencioneve, për shkak se, siç thuhet në raport, Komuna nuk mund ta subvencionojë vetveten, por nëse ka nevojë për mjete të tilla ajo duhet t’i blejë dhe financojë këto pajisje nga programet e tjera dhe jo nga subvencionet e parapara për stimulimin dhe zhvillimin e bujqësisë.

Auditori ka gjetur se Komuna e Fushë-Kosovës kishte mbështetur përfitues të ndryshëm për të njëjtin projekt.

“Rregullorja e MF- Nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 16 paragrafi 1.3, përcakton që Komisioni vlerësues të sigurojë që projektet/programet e përzgjedhura për mbështetje financiare i plotësojnë të gjitha kriteret e thirrjes publike dhe i kontribuojnë arritjes së prioriteteve dhe objektivave të thirrjes. Komuna ka subvencionuar dy herë të njëjtin projekt ‘Rritja e kohezionit social dhe ndëretnik përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive’ te dy përfitues të ndryshëm”, thuhet në raport. “Përfituesi i cili ishte mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në vlerë prej 2.000€ ishte përfitues individual dhe nuk kishte marrëveshje/kontratë me Komunën, si dhe nuk kishte dorëzuar kurrfarë raporti për fondet e shfrytëzuara. Ndërsa përfituesi tjetër ishte REIS (Instituti për Hulumtim, Trajnim dhe Edukim), në vlerë prej 5.000€, i mbështetur nga Drejtoria për Arsim, kishte marrëveshje me Komunën dhe kishte dorëzuar raporte financiare për aktivitetet e kryera”.

Rregullorja e MF-Nr-04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 22, përcakton që ofruesi i mbështetjes financiare lidh kontratë me shkrim me përfituesin e mbështetjes financiare brenda 90 ditësh nga dita e mbylljes së thirrjes publike, si dhe neni 23 i po këtij Ligji kërkon që për secilën kontratë të lidhur, ofruesi i mbështetjes financiare cakton një zyrtar përgjegjës i cili duhet të kujdeset për monitorimin e implementimit të projektit.

“Me vendim të kryetarit, nr.3485 dt.08.10.2020, OJQ ‘Qendra e liderëve të rinj të komunitetit’ në Fushë-Kosovë ka përfituar mjete financiare në vlerë prej 2.000€, me destinim për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve për realizimin e një vizite studimore të 25-30 studentëve të komunitetit RAE në Republikën e Shqipërisë sipas ftesës së OJQ ‘Roma Versitas Albania’ me seli në Tiranë”, thuhet tutje në raportin e Auditorit. “Në kërkesë për mbështetje financiare, OJQ-ja nuk kishte paraqitur projektpropozimin, por vetëm ftesën e OJQ-së nikoqire. Përveçqë nuk kishte kontratë mes përfituesit dhe Komunës, OJQ-ja përfituese nuk kishte realizuar vizitën studimore në Republikën e Shqipërisë. Kjo është zëvendësuar me vizitën/shëtitjen njëditore në Prevallë dhe për mjetet e shpenzuara kishte prezantuar dëshmi jo të duhura”.

Rregullorja e MF-NR-04/2017, neni 6, përcakton që ofruesit e mbështetjes financiare përgatisin pjesën e planit vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor dhe ia dërgojnë atë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë ZKM dhe neni 26 që secili ofrues i mbështetjes financiare publike, pasi ta përgatisë raportin vjetor, do ta dërgojnë atë më së largu deri më 1 mars.

“Për vitin 2020, Komuna nuk kishte përgatitur dhe nuk kishte dërguar në Zyrën e Kryeministrit planin vjetor si dhe raportin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të. Po ashtu, nga mostrat e testuara në gjashtë raste, Komuna kishte bërë financimin e OJQ-ve pa shpallje publike. Kjo situatë ka ardhur për shkak të kujdesit jo të duhur të zyrtarëve përgjegjës të Komunës për t’i mbështetur kërkesat ligjore lidhur me planifikimin, raportimin dhe financimin e të gjitha OJQ-ve përmes shpalljes publike”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur edhe ndarje jo të duhur të detyrave të zyrtarëve komunalë. Me Rregullën dhe Udhëzuesin operativ të prokurimit publik përcaktohet se një zyrtar nga një departament i cili ka përgatitur specifikimet dhe/ose termat e referencës, ose ka përcaktuar standardet e cilësisë, ose vizatimet e përgatitura, nuk mund të marrë pjesë edhe si anëtar i komisionit të vlerësimit, si dhe një anëtar i komisionit të vlerësimit nuk mund të emërohet si menaxher i projektit. Ndërkohë, sipas ZKA-së, për kontratën “Furnizimi dhe montimi i serrave” në vlerë prej 54.821€, i njëjti zyrtar që ka përgatitur paramasat ishte kryetar i komisionit vlerësues si dhe kryetar i komisionit për mbikëqyrje të kontratës.

“Për kontratën “Furnizimi me mekanizëm bujqësor” në vlerë prej 70.342€, i njëjti zyrtar që ka përgatitur paramasat ishte anëtar i komisionit vlerësues si dhe kryetar i komisionit për mbikëqyrje të kontratës; dhe për kontratën ‘Furnizimi me motokultivatorë’ në vlerë prej 68.887€, i njëjti zyrtar ishte anëtar i komisionit për vlerësim dhe i komisionit për mbikëqyrje të kontratës. Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së stafit shkaku i pandemisë COVID-19, sepse stafi aktual i Komunës ka punuar me rotacion dhe numër të reduktuar”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe dobësi të tjera në dhënien e subvencioneve.