Arbëri

Komuna e Podujevës dhe SDK-ja organizojnë takim me gratë për buxhetim gjinor

Zyrtarët komunalë të Podujevës bashkë me OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovës” kanë organizuar një tam me gratë e kësaj komune për planifikimin e buxhetimit gjinor.

Në këtë takim, që ka pasur për qëllim përfshirjen e grave në vendimmarrje, kërkesat kryesore kanë qenë investimi në çerdhe, transporti urban, uji i pijshëm, zhvillimi dhe fuqizimi i tyre ekonomik dhe shërbimet mjekësore, subvencionimi në bujqësi, organizimi i panaireve dhe mbështetja e grave në trajnime profesionale.

“Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, prezantoi qëllimin dhe strategjinë e komunës për integrimin e perspektivës së grave në zhvillim ekonomik, ku theksoi që në analizën e e grupit punues komuna përmes kritereve të rregullores së re të subvencioneve do të favorizojë dhe mbështesë gratë aplikuese. Tutje drejtori Osmani potencoi që bashkë me Zyrën për barazi gjinore dhe organizata joqevritare po angazhohen në vazhdimësi për planifikimin e projekteve që do të fuqizojnë gruan, qoftë përmes trajnimit, subvencionimit apo edhe krijimit të vendeve të punës”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.

Edhe zyrtarët e SDK-së kanë shtruar nevojën për mundësitë e ndarjes së buxhetit që fuqizojnë politikat gjinore në Komunën e Podujevës.

“Në mënyrë të përmbledhur, në pajtueshmëri edhe me përfaqësuesit nga ekzekutivi i Komunës u shpërfaq dakordimi rreth nevojës për më shumë mbështetje përmes subvencionimit nga buxheti komunal për projektet që fuqizojnë pozitën e grave në Komunën e Podujevës”, thuhet në një njoftim të OJS “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”.

Kjo është hera e parë që është organizuar një takim i tillë në Komunën e Podujevës.