Komuna e Prishtinës karakterizohet për betonizimin e saj me ndërtesa shumëkatëshe, pa një planifikim të duhur.
Vazhdimin e zgjerimit të qendrës së Prishtinës me objekte, tentoi ta bënte edhe qeverisja e Shpend Ahmeti, përmes Planit Zhvillimor Komunal, i cili u cilësua me plot gabime.
Por tani Prishtina udhëhiqet nga një arkitekt.
Përparim Rama i cili do të merret me PZHK-në e lënë në gjysmë nga mandati i kaluar, ka kërkuar që ta ndryshojë atë.
Në planin i cili do të përcaktojë 8 vjetët e ardhshëm të Prishtinës, do të inkorporohen edhe projektet e Ramës, të cilat u premtuan gjatë fushatës zgjedhore.
Por sipas Komunës së Prishtinës, draft-dokumenti i PZHK-së, është ende në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku u dërgua gjatë qeverisjes Ahmeti.
Drejtoresha e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në Komunë të Prishtinës, Mimoza Sylejmani, thotë se tashmë kanë formuar një ekip me ekspertë vendorë dhe të jashtëm dhe janë duke bërë më të mirën për Prishtinën.
“Mandatin e kaluar Qeverisja Ahmeti e ka dërguar një draft-dokument, i cili tashmë akoma është në Ministrinë e Planifikimit, të cilët e kanë kthyer me disa vërejtje dhe janë plotësuar ato vërejtje prej qeverisjes së kaluar dhe tani gjendet në Ministrinë e Planifkimit e cila nuk na ka dhënë përgjigje. Por në të njëjtën kohë ne kemi formuar një ekip prej ekspertëve vendor dhe ndërkombëtarë, jashtë Komunës së Prishtinës dhe draft dokumentin jemi duke e shqyrtuar që të inkorporojmë edhe projektet e zotëri Ramës, që i ka promovuar gjatë fushatës zgjedhore. Ku do të kemi ridefinimin e qendrës dhe në kuadër të saj do të kemi edhe gjashtë parkingje, e cila është një procedurë pak më e gjatë”, thotë Sylejmani.
Zhurmë të madhe sa i përket PZHK-së gjatë vitit të kaluar kanë bërë edhe pronarët e fshatit Butovc, të cilëve me projektin e PZHK-së, iu mohua e drejta e ndërtimit në tokat e tyre.
Sylejmani thotë se për ta do të garantojnë një transparencë të madhe, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
“Pastaj do të bëjmë edhe ndërlidhjen e qytetit dhe fshatrave, siç e dini fshati Butovc kanë bërë një protestë, prandaj ne do ju garantojmë një transparencë të madhe dhe do t’i ndjekim të gjitha procedurat ligjore me akertët e kësaj fushe”, thotë Sylejmani.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka treguar se cilat projekte do të inkoroporohen në PZHK.
Por nga MMPHI thonë të kundërtën. Sipas tyre, Prishtina është në fazën e plotësimit të kërkesave dhe rekomandimeve të tyre.
“ Kryeqyteti Prishtinë sipas procedurave, është në proces të hartimit të Projekt Plani Zhvillimor Komunal. Më datë 07.10.2021 ka dorëzuar në MMPHI për vlerësim Projekt-PZHK për marrjen e pëlqimit për hapjen e shqyrtimit publik. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të Projekt-PZHK, MMPHI ka kërkuar të bëhen plotësime dhe ndryshime sipas Ligjit në fuqi të projektit në fjalë. Kryeqyteti Prishtinë është në fazën e plotësimit të kërkesave nga MMPHI”, thuhet nga MMPHI.
Në anën tjetër, qytetarët aktivë të cilët e kanë monitoruar që nga fillimi këtë plan, thonë se PZHK-ja nuk mund të vazhdojë hartimin e saj, pasi ka skaduar plani hapësinor për Kosovën.
Flutura Zymi nga “Qytetarët Aktivë” thotë se ka dërguar kërkesën për një takim me kryetarin e Prishtinës dhe presin që të jenë sa më bashkëpunues.
Në gusht të vitit të kaluar, Plani Zhvillimor Komunal u tentua të hidhet në votim, pa pasur shqyrtim publik dhe me shumë gabime. Si i tillë ai nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme për miratim.