Dy kongresistë amerikanë janë duke realizuar vizita në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kongresistët Keith Self e edhe Suhas Subramanyam, që mbajnë pozita me peshë në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, kanë qëndruar gjatë së hënës në Bosnjë e Serbi, ndërsa të martën do ta vizitojnë edhe Luginën e Preshevës dhe Kosovën
Kryetari i komitetit për punë të jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Keith Self dhe anëtari i nënkomitetit për Ushtri dhe Punë të Jashtme në këtë institucion, Suhas Subramanyam, janë duke zhvilluar vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Dy kongresistët të hënën kanë qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë e më pas e kanë vazhduar në Serbi, ndërsa të martën do të zhvillojnë vizita në Preshevë, e më pas edhe në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKongresisti Self ka përkrahur një projektligj që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Takim me ta ka paralajmëruar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Sinani që pritet t’i takojë kongresistët të martën ka treguar se në takim me ta synon të hapë çështje të shumta siç janë pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë, papunësia që ndikon në migrim, moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Beogradit e deri te bllokimi i fondeve të Kosovës.
“Një nga temat do të jetë edhe çështja e bllokimit të mjeteve të Republikës së Kosovës të dedikuara për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Konsiderojmë se mbështetja zhvillimore, arsimore dhe institucionale për qytetarët nuk duhet të jetë objekt i pengesave administrative apo politike, sidomos kur ato mjete janë të orientuara drejt përmirësimit të kushteve të jetesës së qytetarëve dhe mbështetjes së zhvillimit lokal. Shumë nga problemet për të cilat po flasim janë të pranishme prej vitesh dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje sistematike. Prandaj presim një qasje më serioze dhe masa më konkrete që do të kontribuonin në rritjen e besimit dhe barazisë së qytetarëve”, ka thënë Sinani.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti i Serbisë kanë arritur tri marrëveshje, në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashikojnë mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar. Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore është pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kongresisti republikan Self, që do ta vizitojë Kosovën bashkë me kolegun demokrat Subramanyam, është sponsorizues edhe i rezolutës që përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në rezolutë thuhet se anëtarësimi i Kosovës në aleancë është thelbësor në ballafaqim me ndikimin e kundërshtarëve të SHBA-së në Evropë.
Në të theksohet po ashtu se SHBA-ja duhet t’i nxisë shtetet si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre për ta mundësuar anëtarësimin e Kosovës në aleancë.