Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa ka zgjedhur librin “Free: Coming of Age at the End of History” të autores shqiptare, Lea Ypi si librin e muajit korrik 2026 për klubin e saj të leximit Service95.
Në episodin e ri të podcastit, Lipa dhe Ypi bisedojnë për fëmijërinë e autores në Shqipërinë komuniste, rënien e regjimit të Enver Hoxhës dhe pyetjen që përshkon gjithë librin: Çka do të thotë të jesh vërtet i lirë?
Ypi tregon historinë e saj përmes syve të një fëmije që rritet nën diktaturën më të izoluar staliniste në Evropë, duke zbuluar se si ideologjia ndikonte në çdo aspekt të jetës, nga mësimet në shkollë, te mundësitë për arsim, punë, vendbanim dhe madje edhe martesë.
Në bisedë, të dyja flasin edhe për sekretet që shumë familje shqiptare detyroheshin të mbanin gjatë komunizmit, sistemin e ashtuquajtur të “biografisë”, si dhe sfidat që sollën demokracia dhe ekonomia e tregut pas rënies së regjimit.
VIDEO:
Edhe
“Të poshtëruar” nga Lea Ypi – jeta e ribërë në reliktet e historisë
Lipa dhe Ypi theksojnë se liria politike nuk garanton gjithmonë lirinë personale, duke kujtuar edhe periudhën e vështirë të krizës së firmave piramidale dhe emigrimit masiv.
Gjatë podcastit, Lipa ka shprehur gjithashtu mbështetjen për protestat kundër ndërtimit të një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Sazanit, projekt i lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Ajo ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar procesi nga institucionet shqiptare.
“Ajo që më shqetëson është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë konsultim publik”, ka thënë ajo.
Këngëtarja ka thënë se është frymëzuese të shohësh qytetarët që protestojnë çdo ditë.
“Më frymëzon fakti se njerëzit kujdesen kaq shumë dhe kërkojnë llogari nga ata që janë në pushtet”, ka thënë ylli.
Sipas saj, problemi është më i thellë dhe kërkon ndryshime në mënyrën se si zhvillohet vendi.
“Është e qartë se kemi të bëjmë me një problem strukturor dhe duhet të ndërtojmë një sistem që mbështet njerëzit”, ka thënë ajo.
Edhe
Dua Lipa hap në Portugali bibliotekën me libra të ndaluar
The Times ka shkruar se deklaratat e Lipës janë mirëpritur nga aktivistët mjedisorë në Shqipëri.
Aktivistja Besjana Gurri ka thënë se mbështetja e artistes është “mesazh i fuqishëm” që mund të tërheqë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj protestave dhe shqetësimeve të qytetarëve.