Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk mund të ketë as mirëbesim minimal në dialogun me Serbinë, pa përfunduar në burg autorët e sulmit terrorist në Banjskë dhe pa tërheqjen e letrës së ish-kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq për mosnjohje të integritetit territorial të Kosovës.
Në konferencë për media pas takimit me homologun nga Belgjika, Konjufca ka akuzuar Serbinë për sjellje destruktive pas Marrëveshjes së Brukselit dhe për minimin e arritjeve të dialogut.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sa i përket dialogut me Serbinë, ju e dini që gjithçka çka ka ndodhë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, e ka pasur formën e sjelljes së qëllimshme destruktive të Serbisë për t’i rrënuar arritjet e bëra në dialog. Edhe bashkësia ndërkombëtare e pati konsideruar Marrëveshjen e Brukselit si një arritje, si një thyerje të bllokadës së deritashme sa i përket ecjes përpara. E kjo për Kosovën, për neve, e ka pasur formën e njohjes de facto nga ana serbe. Mund t’i keni parasysh klauzolat e marrëveshjes, më të rëndësishmet, prej pranimit të gjithçkaje që prodhon Kosova në kuptimin e jurisdiksionit të saj: dokumenteve, simboleve, pasaportave dhe elementeve kryesore të shtetësisë: Serbia i pranon, domethënë do të duhej t’i pranojë sipas kësaj marrëveshjeje. Por ju e keni parë lojën e Vuçiqit. Në momentin që u kthye në Serbi, ia dha goditjen më të madhe kësaj marrëveshjeje. Dhe pas asaj goditjeje që ka ndodhë, i keni parë të gjitha, edhe organizimin e sulmit terrorist të Ibër-Lepencit për shkatërrimin e kanalit të ujit dhe për krijimin e kaosit në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.
Konjufca ka përmendur edhe dëshmi konkrete që tregojnë për përfshirjen e Serbisë në sulme dhe destabilizim.
“Po ashtu, ju kisha lutur të jeni më të vëmendshëm edhe të bëni analiza më të thella edhe ndaj dëshmisë që e kanë dhënë vëllezërit Viqentijeviç në procesin gjyqësor për Ibër-Lepencin. Ata e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes edhe të ushtrisë që mbahen atje, prej nga ka hyrë edhe grupi i sulmit në Banjskë me Radoiçiqin. Këta të dy e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë për këtë sulm. Çka po doni më shumë? Unë nuk e di çka ka nevojë më shumë për me tregu rolin destruktiv të Serbisë në gjithçka që ajo ka shkatërruar e që është munduar me u ndërtua edhe prej Bashkimit Evropian, edhe prej mes nesh”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se dialogu aktualisht ndodhet në një situatë të vështirë dhe se kthimi i besimit varet nga drejtësia për rastin e Banjskës.
“Kështu që, ku ndodhet dialogu sot, për me iu kthyer pyetjes suaj: Dialogu sot ndodhet në një gjendje goxha të vështirë, në një gjendje goxha të vështirë për shkak të kësaj që e kam shpjeguar. Qysh kthehet një farë lloj atmosfere minimale, minimale e mirëbesimit? Nuk po lypi diçka krejt të jashtëzakonshme, por po them minimale. Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, këta duhet të përfundojnë në burg. Këta duhet me qenë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot që veprojnë në Serbi. Kjo është elementare, kjo është bazike”, u shpreh ai.
Në fund, ai ka kritikuar edhe qëndrimet zyrtare të Serbisë ndaj integritetit territorial të Kosovës, duke i cilësuar si pengesë serioze për dialogun.
“E dyta, Kryeministri e ka shpjeguar: letra e zonjës Bërnabiq, e cila ishte katastrofike për mirëbesimin. Ju shkroi 27 shteteve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Mos me njoh integritetin territorial të një shteti, kjo kuptohet gati si një shpallje lufte. Është i të njëjtit nivel. Domethënë, nuk të pranon që ekziston si integritet territorial. Këto janë adresuar vazhdimisht me Bashkimin Evropian. Pa u zgjidhur këto, nuk mund të ketë le të themi hapa të mëtutjeshëm”, ka thënë tutje ai.