Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.
Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend.
Sipas tij, pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet.
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Konjufca tutje ka thënë “në çdo shtet serioz, opozita dhe pushteti arrijnë të ndërtojnë disa qëllime të përbashkëta për hir të interesit të përgjithshëm”.
“Ky është momenti në Kosovë”, ka thënë ai.