Arbëri

Konkurs për ish-“Gërminë” pas debatit dyvjeçar dhe humbjes së 11.4 milionë eurove

Një konkurs ndërkombëtar synon që ndërtesën e ish-“Gërmisë” – të ndërtuar më 1972 sipas projektit të arkitektes Liljana Rashevski – ta adaptojë për një sallë koncertale dhe një tjetër për jazz. Sipas kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, “salla koncertale do të jetë nikoqire e komunitetit të artistëve vendorë e ndërkombëtarë dhe do të pasurojë e përmirësojë cilësinë e jetës kulturore të Prishtinës”. Ka dy vjet që debatohet për këtë projekt, dhe konkursi vjen një vit pasi u humb mundësia e shfrytëzimit të 11.4 milionë eurove të BE-së

Ruajtja e elementeve të trashëgimisë kulturore dhe ofrimi i zgjidhjeve kreative brenda ndërtesës së ish-“Gërmisë” janë dy nga synimet kryesore të Komunës së Prishtinës për ta bërë kryeqytetin me sallë koncertale. Deri në muajin shkurt, brenda 75 ditësh, arkitektë nga vendi e bota do ta kenë mundësinë që t’i shpalosin propozimet e tyre në konkursin për adaptimin e objektit të ish-Shtëpisë së Mallrave për sallë koncertale, që do të hapet gjatë javës së ardhshme.

Gjatë një konference për media, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe drejtoresha për Kulturë, Blerta Basholli, të premten kanë shpalosur detaje për konkursin ndërkombëtar, i cili do të jetë i hapur për arkitektë nga vendi e bota.

Drejtoresha për Kulturë, Blerta Basholli, ka thënë se Komuna e Prishtinës, si qyteti më i madh në vend, ka kërkesa të shumta për akomodim të aktiviteteve kulturore. Sipas saj, projekti për sallën koncertale është tejet i rëndësishëm për jetën e gjallë kulturore në kryeqytet, raporton KOHA.

“Jemi të lumtur që po përmbushet ky premtim dhe do ta bëj të mundur akomodimin e aktiviteteve në Prishtinë”, ka thënë Basholli.

Në adresimin e tij për gazetarë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se salla koncertale ka qenë një kërkesë e kamotshme jo vetëm e komunitetit artistik, por edhe e sektorit të kulturës në përgjithësi. Sipas tij, kryeqyteti ende nuk ka një sallë që akomodon më shumë se 500 persona dhe as nuk ka akustikën e nevojshme për artistë që performojnë në evenimente të tilla.

“Për nevojat e Komunës së Prishtinës, ne po e hapim konkursin për ta adaptuar ndërtesën e ish-‘Gërmisë’ dhe të tjerat përreth për një sallë koncertale”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se synimi është që brenda dy vjetësh kryeqyteti të ketë gati këtë hapësirë të re.

Ai ka nënvizuar se në këtë konkurs ndërkombëtar, i cili do të shpallet gjatë javës së ardhshme, do të kenë të drejtë të aplikojnë të gjithë arkitektët nga vendi e bota. Një juri ndërkombëtare, sipas tij, do t’i vlerësojë propozimet, ashtu që ajo të jetë një “landmark building”.

“Ideja është që të kemi një ndërtesë që i ruan shenjat e së kaluarës, por edhe shikon drejt së ardhmes”, ka thënë Ahmeti teksa ka shtuar se plot konkurse në Evropë e ndjekin këtë shembull.

Me këtë rast, i pari i kryeqytetit ka njoftuar për blerjen e ish-“Gërmisë”, si dhe ish-hapësirës së “Tulltores” në lagjen “Tophane” përmes procesit të privatizimit duke i blerë 20 për qind më lirë sesa vlera e tyre reale.

“Këtë na e mundëson Ligji i Privatizimit, ku institucionet publike mund të privatizojnë”, ka thënë Ahmeti.

Duke evokuar debatet që kishin përcjellë ndërtesën e ish-“Gërmisë” gjatë viteve të fundit, sidomos përfshirjes së saj në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të shtetit, Ahmeti ka thënë se Komuna është përcaktuar që “ndërtesa të ruhej”.

“Gjatë konkursit mund të ketë edhe propozime që të ruhet fasada industriale e ndërtesës apo edhe eskalatori”, ka thënë ai.

Kështu, sipas tij, në projekt do të jenë të përfshirë edhe përfaqësues të IKMM-së, “që do të përkujdesen gjatë tërë kohës të mos dilet jashtë parametrave të trashëgimisë kulturore”.

Sipas propozimit të Qeverisë lokale në Prishtinë, konkursi parasheh që brenda këtij kompleksi të ndërtohen dy salla. Salla kryesore do të ketë një kapacitet prej rreth 800 ulësesh, e krahas saj do të jetë edhe një tjetër më e vogël që është menduar si “salla e jazzit”.

Ai, po ashtu, ka bërë me dije se Komuna tashmë ka ndarë 150 mijë euro që janë paraparë për tri shpërblimet e para, si dhe shpenzimet e tjera të konkursit.

“Shpërblimi i parë do të jetë 50 mijë euro për shtëpinë arkitektonike fituese, që do ta ketë të drejtën e dizajnimit të projektit të detajuar”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, propozimi fitues nuk nënkupton që domosdoshmërisht do të zgjidhet për t’u ndërtuar nëse ai “i tejkalon mundësitë financiare”.

Shtëpive arkitektonike iu është kërkuar që të dorëzojnë maketet model në përpjesëtim 1:1200, kurse më pas ato do të jenë të ekspozuara për qytetarët që do të “votojnë” për modelin që iu duket më i mirë.

“Kjo nuk do të thotë se modeli më i votuar do të zgjidhet nga juria profesioniste, por megjithatë ai do të japë një vlerësim për emocionet e qytetarëve karshi kësaj ndërtese”.

Tutje, Ahmeti ka thënë se arkitektëve dhe studiove të ndryshme iu është dorëzuar një material i përgatitur nga Komuna e Prishtinës me të gjithë parametrat e kërkuar.

“Në të njëjtën kohë, ne jemi munduar që të mos iu tregojmë arkitektëve se çfarë duhet të bëhet saktë, sepse kreativiteti i tyre do të jetë shumë më i madh se imagjinata jonë”.

E këtij projekti Komuna e Prishtinës do t’ia mësyjë me 1.5 milionë euro të ndara në buxhetin për këtë vit e të parapara edhe për dy vjetët e ardhshëm.

Në fakt, si pasojë e mosmarrëveshjeve mes nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës vitin e kaluar kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Siç e ka vlerësuar Komuna e Prishtinës, programi i IPA-së për vitin e ardhshëm parasheh që mjetet të jenë të gatshme vetëm në vitin 2022.

“Ne nuk kemi kohë që të presim edhe dy vjet të tjerë për fonde”, ka thënë Ahmeti, i cili ka shtuar se Komisioni Evropian tanimë është njoftuar për projektin.

“Në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro do ta kemi të nevojshme ndihmën e KE-së, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh Komuna do ta financojë vetë”.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, në tetor të vitit 2018, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të këtij viti, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente.