Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të bëjë thirrje për kompromis politik midis partive politike në konsultat e saj me to në ditët në vijim.
Kështu ka thënë këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili ka bërë të ditur se në këto konsulta do të potencohet rëndësia e miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe i Planit të Rritjes.
Sipas Kupinës, Osmani këto akte i konsideron të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencojë rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, ka thënë Kupina.
Tutje ka theksuar se Osmani do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Të dielën e 26 tetorit ishte dita e fundit nga afati prej 15 ditësh kur i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, është dashur të paraqesë para Kuvendit përbërjen e programin e qeverisë së re.
Në seancën për votimin e qeverisë së drejtuar nga ai, Kurti u fut pa arritur paraprakisht ndonjë marrëveshje politike me subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend apo deputetët individualisht.
Kësisoj, në votimin e zhvilluar, për votuan 56 deputetë, 52 ishin kundër e 4 abstenuan nga 112 sa morën pjesë në seancë, duke mos arritur të votohet qeveria e re.