Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje prej 17% në tetor të këtij viti, krahasuar me tetorin e vitit të shkuar. Kjo është shoqëruar me rënie të prodhimit vendor dhe import të shtuar të energjisë. E gjithë kjo situatë ka rritur pasigurinë në sektorin energjetik dhe ka hapur debat për mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë
Për 17 për qind ka shënuar rritje konsumi i energjisë elektrike në tetor të këtij viti, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), derisa konsumi shënoi rritje, gjatë tetorit pati rënie të prodhimit të energjisë nga thëngjilli.
“Gjatë muajit tetor të vitit 2025 energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 616,967 MWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 458,175 MWh apo 16.96% më i madh krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Prodhimi i thëngjillit për muajin tetor 2025 ishte 616.33 mijë tonë, që paraqet një rënie prej -14.77% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e ASK-së.
Tetori u përcoll edhe me rritje të importit të energjisë elektrike për rreth 19 për qind. Derisa në muajin e njëjtë të vitit të shkuar u importuan 254,414 MWh, në tetorin e sivjetshëm importi i rrymës ishte 302,762 MWh.
Por, të dhëna të tjera janë të paraqitura në bilancin vjetor të energjisë elektrike për 2025-tën, që është publikuar këto ditë nga Zyra e Rregullatorit për Energji, pas vonesës disamujore në miratim.
Derisa të dhënat e ASK-së tregojnë se prodhimi nga termocentralet gjatë tetorit ishte 503 GWh, në bilancin e energjisë thuhet se ajo ishte 435 GWh.
E tek importi janë paraqitur shifra më të ulëta krahasuar me të dhënat e ASK-së. Aty thuhet se gjatë tetorit importi i energjisë ishte 86.741 MWh.
Bilanci përmend Trepçën, Sharcemin, NewCo Ferronikelin dhe Mihjet, por nuk flet për shpenzimet e kompanive që kanë dalë në treg të lirë të energjisë.
Mes akuzave për rritje të importit e rënie të prodhimit, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli për punët në modernizimin e termocentraleve. Ajo tha se punët në Bllokun B2 kanë përfunduar dhe se vitin e ardhshëm e njëjta do të bëhet edhe në Bllokun B1, ndërsa njësitë e TC “Kosova A” po rehabilitohen.
“Njësitë e termocentralit Kosova A po rehabilitohen thellësisht. Kapacitetet do të rritën për 60 për qind, jetëgjatësia për 20 vite, orët e punës për 40 për qind, ndërsa ndotja do të ulët për 25 për qind. Në garë për ta realizuar këtë projekt janë tri konsorciume, me kompani nga Koreja e Jugut, India, Turqia dhe Kosova”, ka thënë Rizvanolli.
KOHA ka raportuar se rritja e ndjeshme e importit të energjisë elektrike dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar pasigurinë në sektorin energjetik dhe kanë hapur debatin për mundësinë e rritjes së tarifave.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntëmujorit të këtij viti importi i energjisë është rritur për 48 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërkohë që prodhimi vendor ka rënë për rreth 20 për qind.
Kjo situatë është vlerësuar si faktor që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët.