Në kuadër të 75-vjetorit të themelimit, Arkivi i Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me Arkivin Kombëtar të Hungarisë, për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim në ruajtjen e trashëgimisë dokumentare. Sipas përfaqësuesve nga të dyja vendet, ky shkëmbim i përvojave është i një rëndësie të veçantë
Arkivi i Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me Arkivin Kombëtar të Hungarisë, në kuadër të 75-vjetorit të themelimit dhe hapjes së “Javës së Arkivit të Hapur”.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, ka thënë se ky institucion mbetet i përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të objektivave strategjike të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Sipas tij, shkëmbimi i përvojave mes dy shteteve është i një rëndësie të veçantë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Republika e Kosovës është në proces të konsolidimit dhe transformimit të një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të trashëgimisë sonë dokumentare të arkivave dhe në këtë rrugë në këtë proces ne llogarisim jashtëzakonisht shumë në shtetin që presim ta kemi nga përvojat e suksesshme, të cilat ju tashmë i keni implementuar në shtetet prej nga vini dhe organizatat tjera që kanë për fushëveprim çështje të rëndësishme të fushës së arkivave”, ka thënë Bislimi.
Ndërkaq përfaqësuesja e Arkivit Kombëtar të Hungarisë, Ildikó Szerényi, ka theksuar lidhjet historike dhe kulturore mes hungarezëve dhe popujve të Ballkanit, duke përmendur edhe ngjarje të rëndësishme historike.
“Këto lidhje historike janë formësuar prej shekujsh në kufijtë e Perandorisë Osmane dhe Austro-Hungarisë. Ndryshimet politike, konfliktet ushtarake, migrimet dhe shkëmbimet kulturore kanë lënë gjurmë afatgjata në të gjithë rajonin. Ka edhe momente konkrete historike që i lidhin historitë tona, si Beteja e Kosovës më 1389 dhe Beteja e Moháçit më 1526, 500-vjetorin e së cilës Hungaria e shënon sivjet”, është shprehur Szerényi
E zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Arkivit të Shqipërisë, Endrit Musaj, ka deklaruar se 75-vjetori i Arkivit të Kosovës përfaqëson më shumë se një përvjetor institucional.
“Ky jubile përfaqëson më shumë se një përvjetor institucional dhe është një moment reflektimi me një rrugëtim të gjatë profesional dhe njëkohësisht një dëshmi e një roli të pazëvendësueshëm që Arkivi i Kosovës ka luajtur në ruajtjen, administrimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare. Që prej themelimit të tij në vitin 1951 Arkivi i Kosovës ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme në shërbim të kujtesës historike dhe të funksionit institucional të shtetit”, ka thënë ai.
Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do ta shënojë këtë jubile me program njëjavor aktivitetesh, nga e hëna (23 mars) e deri më 27 mars 2026.
Gjatë kësaj jave, Arkivi do të mirëpresë studentë, nxënës, studiues dhe të gjithë të interesuarit, të cilët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me punën dhe aktivitetet profesionale të arkivit.