Kosova është renditur e 26-ta në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të organizatës “Henley”, si një prej shteteve më të sigurta në botë për të investuar. Indeksi i përfshin 226 vende në gjithsej.
Në indeksin e rrezikut Kosova është vlerësuar me 20.59 pikë në raportin 0-100 (sa më ulët është aq më mirë). Në këtë indeks llogariten rreziku i inflacionit, luhatshmëria e monedhës, jostabiliteti politik, rreziku ligjor dhe ai i klimës.
Ndërsa në indeksin e qëndrueshmërisë, Kosova ka marrë vlerësim prej 69.56 pikësh (sa më lartë është aq më mirë). Këtu përfshihen si vlerësime kompleksiteti ekonomik, llogaritë e jashtme, investimet, inovacioni, kualiteti i qeverisjes, përparimi shoqëror, hapësira e politikave fiskale dhe rezistenca ndaj klimës.
E nga kombinimi i përgjithshëm, Kosova ka marrë vlerësim prej 74.84 pikësh.
Kosova është shteti më i sigurt për investime edhe në rajon, duke lënë larg prapa të gjitha shtetet tjera. Maqedonia e Veriut është e 65-ta, Mali i Zi i 69-ti, Serbia e 71-ta, Shqipëria e 74-ta dhe Bosnjë-Hercegovina e 77-ta.
Për rangimin ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka thënë se ky vlerësim është dëshmi e rritjes ekonomike dhe sundimit të ligjit.
“Jemi të parët në rajon në këtë indeks, si dhe shumë pozicione përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Kosova si vend i sigurt për të investuar, sipas Henley, vjen si lajm vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi vendin tonë nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ketë edhe për këtë vit rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Përkundër krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, shteti ynë vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta”.
Në vendin e parë në botë është Zvicra e pasuar nga Danimarka dhe Norvegjia. Singapori, Suedia, Luksemburgu, Finlanda, Grenlanda, Holanda dhe Gjermania kompletojnë 10-shen më të sigurt për investime.