Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kosova e Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e shërbimeve të besuara e identifikimit elektronik

Marash Dukaj dhe Lulëzon Jagxhiu

Foto: Driton Paçarada

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik, e cila synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital dhe integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, ka thënë se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e transformimit digjital dhe integrimit evropian të Kosovës.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë me njohjen e shërbimeve të kualifikuara të besuara dhe të skemave të identifikimit elektronik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne, Kosova me Malin e Zi, kemi marrëdhënie shumë të mira miqësore që bazohen në vlerat e përbashkëta, respektin e ndërsjellë dhe aspiratat e përbashkëta që kemi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e sotme është edhe një hap i radhës drejt forcimit të këtyre marrëdhënieve tona bilaterale”, është shprehur ai.

Ndërkaq, Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, ka vlerësuar se marrëveshja do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.

“Kjo marrëveshje ka rëndësi shumë të madhe, në radhë të parë për qytetarët tanë të të dyja vendeve, të cilët jetojnë e punojnë në Kosovë, në Republikën e Kosovës, por natyrisht edhe në Mal të Zi. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për bizneset dhe për krejt bashkëpunimin që është kryesor për integrimin tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, ka deklaruar Dukaj. 

Ai ka thënë se beson që Mali i Zi, deri në fund të tetorit, që të nënshkruajë këtë marrëveshje me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, gjë që sipas tij, është një arritje shumë e madhe për aspiratat e vendit drejt Bashkimit Evropian.