Mbledhja e sotme e Qeverisë nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri Albin Kurti ka thënë se shpallja e 11 korrikut si Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës.
“Këtë vit, shënuam 25-vjetorin e çlirimit. Kujtojmë masakrat e kryera, përkujtojmë viktimave e luftërave të viteve ‘90. Kujtojmë 8.372 burra e djem të Srebrenicës që u vranë nga forcat serbe në masakrën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Javën e kaluar, ushtria serbe kaloi në një paradë në Prijedor pa leje të shtetit të Bosnjës. Vetëm katër ditë para përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës. Po i bashkohemi memoralizimit bazuar në rezolutën që kemi miratuar në Kuvend që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në vijim të rezolutës në Parlamentin Evropian dhe rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë majit të këtij viti. Është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës e të dëshirës sonë për drejtësi e paqe. Që të mos harrohet e të mos përsëritet gjenocidi as në Srebrenicë, as në Kosovë, as në rajonin tonë e askund në botë”, ka thënë Kurti.
Zëvendëskryeministrja, nga komuniteti boshnjak, Emilja Rexhepi ka thënë se kjo ditë duhet të shërbejë për ruajtjen e së vërtetës, paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Ndërsa, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u shpreh se krimet dhe gjenocidi nuk duhet të përgjithësohen mbi një popull, por mbi autorët individualë.
Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përmes një rezolute përcaktoi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, e mohojnë gjenocidin.
Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.