Derisa pothuajse të gjitha shtetet e rajonit tashmë kanë pezulluar fluturimet me Britaninë e Madhe, në Kosovë mbrëmjen e së martës, pritet të aterojnë aeroplanë me udhëtarë nga ky vend.
Deri tani dihet shumë pak rreth variantit të ri të COVID-19, por që nga shkencëtarët është thënë se përhapet më shpejt. Mes mutacioneve të variantit të ri përfshihen ndryshimet në mënyrën se si ai hyn në qelizat njerëzore, që kjo mund të nënkuptojë se fëmijët janë, mbase, po aq të cenueshëm nga ai sa dhe të rriturit.
Qeveria e Kosovës pritet që shumë shpejt të vendosë për masat e reja që përfshihen edhe kufizimet me Britaninë.
“Janë në votim masat të konsultuara me shoqata e të tjerave, është një variant i ri i paraqitur jemi duke i ndjekur vendet. Do të përfshihen shpejt edhe kufizimin e lëvizjes me Britaninë e Madhe”, tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
As Aeroporti e as Policia e Kosovës nuk kanë ofruar të dhëna se sa persona nga ky shtet kanë hyrë në Kosovë javën e fundit.
Por, zyrtarët policorë kanë thënë se vetëm në vikend 56 mijë e 655 persona kanë hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare nga shtete të ndryshme. E 13 mijë e 362 kanë hyrë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Nga SHSKUK-ja kanë thënë se duhet të flasim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, derisa nga këta të fundit nuk janë përgjigjur gjatë ditës.
Përgjigje nuk ka kthyer as Ministria e Shëndetësisë, nëse pritet të merret ndonjë masë shtesë për parandalimin e përhapjes së variantit të ri.
Mjekët shqiptarë në Gjermani thonë se edhe Kosova duhet t’i ndjekë praktikat e vendeve të tjera dhe të marrë sa më parë masa parandaluese.
Fahri Beqa, përmes një përgjigje me shkrim, ka thënë për KOHËN se informacione të tjera rreth variantit të ri të virusit do të dihen brenda javës së ardhshme.
“Sipas informatave të deritanishme shkencore varianti i ri i koronavirusit 202012/01 VUI ose B.1.1.7. përhapet më shpejt nga personi në person, dhe kjo ka ndodhur në disa regjione jugore të Britanisë, por është identifikuar tanimë edhe në Holandë, Itali, Danimarkë, Afrikë Jugore etj. Nuk ka asnjë të dhënë shkencore dhe klinike se a është ky variant më vdekjeprurës, por studimet shkencore dhe monitorimi klinik është tanimë duke ndodhur në Britani. Priten të dhëna të reja të paktën pas një jave. Mirëpo, të gjitha masat e parandalimit që kanë vepruar kundër variantit bazë përfshirë kufizimin e kontakteve, mbajtjen e maskës, mbajtjen e distancës dhe mbajtjen e higjienës veprojnë edhe kundër këtij varianti të virusit. Sa i përket vaksinës së “Biontech/Pfizer”, antigjeni që kanë përdorur ata për të krijuar përgjigjen adekuate imunologjike kundër COVID-19 përbëhet nga 1270 aminoacide (aminoacidet janë pjesë përbërëse të proteinave)”, ka shkruar mjeku Beqa.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të rrisin masat anti-COVID si pasojë i variantit të ri të COVID-19 që është shfaqur në Britaninë e Madhe.