Në mesin e serbëve të ndaluar nga Policia për kërcënim të votuesve, ka drejtorë institucionesh shëndetësore e arsimore ilegale, dhe një asambleist të Komunës së Graçanicës. Arrestimet kanë nxitur protesta në Graçanicë e reagime politike në Serbi. E në Kosovë është shprehur zotimi për të ndëshkuar ata që kërcënojnë dhe bëjnë presion ndaj votuesve serbë
Asambleisti i Komunës së Graçanicës nga radhët e Listës Serbe, Lubisha Karaxhiq, dhe gjashtë persona të tjerë, në mesin e të cilëve drejtorë shkollash e të shtëpive të shëndetit që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë në Graçanicë e Lipjan janë dërguar në ndalim 48-orësh në kuadër të hetimit për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
Arrestimet janë bërë pasi subjekti “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i Nenad Rashiqit, ka denoncuar edhe në Polici e edhe publikisht largimin nga puna të aktivistëve të saj dhe familjarëve të tyre, nga institucionet që financohen nga buxheti i Serbisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se të ndaluarit mbajnë pozita udhëheqëse dhe se po bëjnë shqyrtime edhe për masat e sigurisë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, ka precizuar se në çfarë institucionesh kanë punuar zyrtarët e tjerë, përveç Karaxhiqit.
“Personat të cilët dyshohen për kryerjen e veprës kanë pozita udhëheqëse në institucione shkollore dhe qendra mjekësore, ku njëri prej tyre është asambleist në Komunën e Graçanicës. Të njëjtit janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre”, ka thënë ajo.
KOHA e ka siguruar një dokument që është deponuar në prokurori, që tregon për largim nga puna nga institucionet ilegale serbe, në të cilin thuhet se punonjësi mbajti qëndrim kundër shtetit të Serbisë.
“Bëri paraqitje publike duke e shprehur qëndrimin e tij, në kundërshtim me interesat e popullit serb në Kosovë që jeton në sistem institucional dhe e njeh republikën e Serbisë, nxiti urrejtje në rrjete sociale, që ndalohet me ligj – e gjitha për arritjen e qëllimeve politike, në atë mënyrë që e dëmton reputacionin e punëdhënësit”, thuhet në këtë dokument.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime të papara për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe, dhe e ka cilësuar situatën si ndër më të rëndat në vitet e fundit.
Kurti i bëri këto komente pas arrestimit të shtatë serbëve.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ai ka thënë se shantazhi nga Beogradi për votuesit serbë në Kosovë është shndërruar në fenomen.
“Fjalët e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në mbledhjen e fundit të qeverisë mbi trysninë e tmerrshme që po bëhet nga Beogradi për serbët e Kosovës për ta votuar Listën Serbe, duke përcjellë edhe rrjetet sociale të secilës figurë publike, secilit politikan serb që ka garuar qoftë një herë, me të vërtetë janë alarmuese. Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi e kemi të dëshmuar nga ankesat e serbëve të Kosovës. Është fenomen që ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vite sa jam kryeministër”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se këto veprime përfshijnë kërcënime, shantazhe dhe kushtëzime financiare ndaj qytetarëve serbë në Kosovë, me qëllim orientimin e tyre politik.
“Kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që kanë marrë nga Serbia ndonjëherë, me kushtëzimin që të rreshtohen, thua se bëhet fjalë për ushtri në kohë lufte, në radhët e Listës Serbe”, ka thënë Kurti.
Ai ka shprehur bindjen se Serbia synon të krijojë “dualizma institucionalë” brenda Kosovës dhe të ndikojë në funksionimin e institucioneve të shtetit, duke e cilësuar këtë si veprim të paligjshëm në një shtet sovran.
Kurti ka theksuar gjithashtu se institucionet e drejtësisë dhe prokurorisë janë të pavarura dhe kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë për zbatimin e ligjit, pa dallim etnie apo përkatësie.
“Serbia vazhdimisht mundohet të ketë elemente të saj, përmes së cilave dëshiron të krijojë dualizma shtetërorë brenda territorit tonë sa i përket funksionimit të institucioneve, shërbimeve publike. Ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur. Republika jonë i ka pushtetet e ndara: ne jemi ekzekutivi, legjislativi nuk është funksional, por gjyqësori e prokuroria vendosin në mënyrë të pavarur. E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë për ta mbrojtur sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë pa dallim”, ka thënë kryeministri në detyrë. “S’ka të bëjë me etninë e asnjë qytetari që ndalohet. Kjo ka të bëjë me dyshimet mbi veprime e tyre”.
E, në Prokurori kanë thënë se brenda afatit ligjor, do të shqyrtohet edhe mundësia e parashtrimit të kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë, ndaj shtatë të ndaluarve.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar shtatë persona, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’”, thuhet në një njoftim të organit të akuzës. “Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë e parashtrimit të kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë”.
Kundër arrestimeve, para stacionit të Policisë në Graçanicë kanë protestuar disa banorë të kësaj komune.
Një nga protestuesit tregoi se pse doli për të protestuar.
“Sa për parti politike, kërcënimet e largimet nga puna e ato, me ato nuk merrem. Kam dalë t’i jap mbështetje qytetarëve të mi, kombit tim dhe të jem shtylla e tyre”, ka thënë Millosh Rashiq.
E aktivisti i subjektit “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Igor Jovanoviq, i cili një ditë më parë bëri të ditur se gruaja e tij ka marrë vendim për largim nga puna si hakmarrje ndaj tij, tha se protestuesit kanë qenë të detyruar të dalin nga institucionet ku punojnë.
“Dua t’iu them të gjithëve dhe t’i pyes këta njerëz, a kanë dalë t’i mbështesin 20 familje të papuna, vetëm pse nuk e mbështesin Listën Serbe apo kanë dalë t’i japin mbështetje drejtorëve që publikisht, para punëtorëve të tyre, e kanë pranuar se kanë nxjerrë vendime që e dinë mirë se e kanë shkelur ligjin duke nxjerrë vendim të kundërligjshëm për largim të tyre të padrejtë nga puna. Ju them të gjithëve se të gjithë ata drejtorë dhe të gjithë ata që pajtohen që ta shqetësojnë popullin serb dhe ta rrezikojnë atë, do të procedohen në përputhje me ligjin”, ka thënë Jovanoviq.
Denoncime të këtilla të partive serbe që nuk e kanë mbështetjen e Beogradit ka pasur në çdo palë zgjedhje, mirëpo të rralla kanë qenë rastet kur Prokuroria e Shtetit i ka çuar deri në fund rastet penale.
Një nga rastet e rralla të dënimeve për përcaktim të lirë të votuesve është dënimi i ish-nënkryetarit të Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili u dënua me një vit me kusht pasi e pranoi edhe vetë se kërcënoi serbët e komunës së tij se do t’i humbnin ndihmat sociale po të mos e votonin Listën Serbe.
Por, kundër arrestimeve janë deklaruar në partinë që ka mbështetjen e institucioneve të Serbisë.
Zyrtari i saj, Igor Simiq, në konferencë për shtyp ka thënë se janë arrestuar drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, dhe për këtë e ka akuzuar ministrin Nenad Rashiq.
Simiq ka vlerësuar se po synohet “integrim i dhunshëm” i institucioneve shëndetësore dhe arsimore.
Këto institucione në mjediset serbe funksionojnë në sistemin e Serbisë dhe janë pothuajse të vetmet që kanë mbetur, pasi gjatë dy viteve të fundit të gjitha të tjerat janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se janë “ilegale”.
Çështja e integrimit të sistemit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë është hapur në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Kurti deklaroi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se nevojitet “inkorporimi dhe bashkimi i tyre”.
“Këto arrestime të sotme nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet. Kjo është një përpjekje për të sulmuar shëndetësinë dhe arsimin serb dhe nga ana tjetër, nëse flasim për zgjedhjet, për t’i ndihmuar Nenad Rashiqit që me forcë t’i fitojë votat e popullit serb”, tha Simiq.
Paraprakisht, Rashiq, akuzoi Listën Serbe për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë.
Ai, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, më 14 maj, deklaroi se rreth 20 persona që e mbështesin atë janë larguar nga puna dhe se në periudhën e ardhshme pritet që edhe rreth 40 persona të tjerë të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.
Rashiq, po ashtu, pretendoi se simpatizantët dhe anëtarët e partisë së tij po ndalohen në pikat kufitare me Serbinë nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ku pyeten se për kë do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.
REL më 18 maj publikoi dëshmi të disa personave që thanë se janë larguar nga puna sepse nuk e mbështesin Listën Serbe, por partinë e Rashiqit.
Në disa vendime për largim nga puna, thuhet se të punësuarit për një periudhë më të gjatë kanë shprehur publikisht bindjet e tyre politike, në kundërshtim me “interesat për të cilat përcaktohet popullsia serbe në Kosovë, e cila jeton në sistemin institucional që nuk e njeh Republika e Serbisë”.
Ata kishin punuar për dekada në institucionet shëndetësore dhe arsimore të Serbisë në Kosovë, të cilat vitet e fundit udhëhiqen kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të Listës Serbe.
E, Simiq ka deklaruar se punonjësit e “sanksionuar” në institucionet serbe që kanë mbetur pa punë kanë të drejtë ankese, dhe se drejtorët “i kanë kryer me nder detyrat e tyre”.
Reagime ka pasur edhe nga autoritetet në Serbi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, deklaroi se “të gjithë personat që me veprimet e tyre kanë kontribuar në ndalimin e pesë serbëve, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë nga pjesa qendrore e Kosovës, do të ndiqen dhe sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të mërkurën se i ka njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për këto arrestime, duke iu kërkuar “të angazhohen urgjentisht në këtë çështje”.
Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet parlamentare të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa një mandat e fitoi partia e Rashiqit.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Lista Serbe do të ketë si kundërshtar të vetëm partinë e Rashiqit, meqë gjashtë subjekte opozitare të serbëve nuk arritën të certifikohen si koalicion, shkaku i pamundësisë për të siguruar nënshkrimet e nevojshme nga qytetarët, të cilat kërkohen me ligj.
Të gjitha raportet e fundit ndërkombëtare për zgjedhjet në Kosovë, vërejtjet më të mëdha i kanë bërë për komunat me shumicë serbe, në të cilat është evidentuar e dhëna se votuesit u nënshtrohen edhe kërcënimeve.