Arbëri

Para shkarkimit, ish-anëtarë të Bordit të KOSTT-it kanë bërë kallëzim ndaj Evetar Zeqirit

Një ditë pas shkarkimit të Evetar Zeqirit nga pozita e kryeshefit të KOSTT-it, përfaqësues të institucioneve nuk i kanë treguar arsyet e vendimit. E, burime në KOSTT vetëm theksuan se arsyet e shkarkimit lidhen me performancën e Zeqirit

Institucionet nuk i kanë bërë të ditura arsyet e shkarkimit të Evetar Zeqirit nga posti i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk ka pranuar të flasë, një ditë pas vendimit të Bordit të KOSTT-it për këtë shkarkim.

KOHA ka adresuar në KOSTT kërkesë për qasje në vendimin me të cilin është shkarkuar Zeqiri, por dokumenti ende nuk është vënë në dispozicion.

E, burime në këtë institucion theksuan se Zeqiri është shkarkuar shkaku i performancës dhe se mbledhja e Bordit është planifikuar një javë më herët.

E, në një reagim të KOSTT-it theksohet se çfarëdo ndërlidhje e ndryshimeve të fundit në menaxhmentin e korporatës me raportimet e publikuara në disa medie, janë të pabazuara dhe të pasakta.

Para shkarkimit të Zeqirit, ish-anëtarë të Bordit kanë bërë kallëzim penal nën dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe ndërhyrje në aktivitetet e prokurimit.

“Zeqiri vazhdon tutje me ndërhyrjet e tij në procesin e prokurimit duke iu kërkuar të gjithë drejtorëve të departamenteve të KOSTT-it që të gjitha specifikacionet teknike t’ia dërgojnë z. Zeqiri, së paku tre muaj para inicimit të aktiviteteve përkatëse të prokurimit”, thuhet në kallëzimin penal.

Sipas kallëzimit penal, Zeqiri ka mbajtur të fshehta informata nga Bordi dhe i ka shkaktuar dëme KOSTT-it me miliona euro.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Zeqiri, por ai nuk është përgjigjur.

E, në kallëzim penal thuhet se përveç ndërhyrjes në aktivitetet e prokurimit, duke vendosur kritere dhe duke seleksionuar specifikacione teknike, kryeshefi tashmë i shkarkuar, ka ftuar në zyrën e tij dhe ka kërkuar që të tërhiqet nga aktiviteti i prokurimit, përfaqësuesin e operatorit ekonomik gjatë procesit të vlerësimit të ofertës.