Reduktimet e rrymës që janë zbatuar ditët e fundit në qytete të ndryshme nuk kanë qenë qëllim në vetvete, por instrument sigurie për të garantuar stabilitetin e sistemit elektro-energjetik në Kosovë, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT), Shaban Neziri.
Në një konferencë për media të mërkurën, Neziri deklaroi se qëllimi i KOSTT-it është të ofrojë një pasqyrë të qartë dhe të verifikueshme mbi gjendjen e sistemit, veçanërisht në ditët e fundvitit kur ngarkesa në rrjet rritet ndjeshëm.
Sipas tij, sistemi aktualisht po përballet me rritje të konsiderueshme të konsumit, sidomos në orët e pikut gjatë sezonit dimëror, përkatësisht në periudhën 20 dhjetor – 5 janar, në oraret 09:00–11:00, 16:00–19:00 dhe 22:00–23:00. Ai bëri të ditur se ngarkesa maksimale ka arritur deri në 1,523 MW, krahasuar me 1,472 MW vitin e kaluar, duke treguar një trend të vazhdueshëm të rritjes së kërkesës për energji.
Neziri sqaroi se KOSTT, si Operator i Sistemit të Transmetimit, ka për detyrë të operojë dhe mirëmbajë rrjetin e tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV, duke garantuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit në çdo moment.
Ai theksoi se, pavarësisht investimeve të shumta të realizuara ndër vite për rritjen e kapaciteteve transmetuese, këtë vit mbingarkesat janë shfaqur më të theksuara në disa nënstacione, përfshirë Rahovecin dhe Malishevën, Prizrenin 1, si dhe pjesërisht Gjilanin 1 dhe Lipjanin.
“Për këtë arsye, gjatë javës së fundit kemi zbatuar kufizime të përkohshme dhe të kontrolluara vetëm në disa nënstacione dhe vetëm në orë të caktuara të pikut. Këto masa janë instrument sigurie për të shmangur incidente më serioze që do të kishin pasoja shumë më të gjera”, ka thënë Neziri.
Ai bëri të ditur se ndërhyrjet maksimale kanë qenë deri në 20 për qind në Nënstacionin Rahovec, deri në 11 për qind në Prizren 1 dhe deri në 3 për qind në Lipjan, ndërsa vetëm një herë ka pasur një ndërhyrje minimale edhe në Gjilan 1. Sipas tij, çdo reduktim tjetër i ndier nga qytetarët në furnizim nuk është shkaktuar nga KOSTT-i.
Neziri njoftoi gjithashtu për investime të reja, përfshirë ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë, me vlerë 6.78 milionë euro, i cili pritet të përfundojë brenda 13 muajve dhe të zgjidhë problemet e ngarkesës në zonën Rahovec–Malishevë. Po ashtu, është paraparë edhe ndërtimi i një nënstacioni në Dragash për të lehtësuar ngarkesën në Prizren 1.
Sipas tij, KOSTT-i ka aktualisht projekte investimi mbi 30 milionë euro në bashkëpunim me KfW dhe është në negociata për një pako tjetër rreth 35 milionë euro, me synim forcimin e rrjetit dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme.
Në fund, Neziri u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kursejnë energjinë dhe, kur është e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë jashtë orëve të pikut, duke theksuar se çdo ulje e konsumit në këto orë ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të sistemit për të gjithë.