Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja paguan 300 mijë euro më tepër se që planifikoi për gjashtë kontrata

kqz

Gjashtë kontrata me negocim, të dhëna brenda vetëm dy ditëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë kushtuar rreth 300 mijë euro më shumë sesa ishte planifikuar. Për shërbimet postare të votimit jashtë vendit, kontrata u nënshkrua një ditë pas njoftimit për dhënie të saj

300 mijë euro mbi shumën e planifikuar i kanë kushtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjashtë kontratat me negocim të dhëna brenda dy ditëve, që lidhen me organizmin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Të martën në platformën digjitale të prokurimit u publikua njoftimi për nënshkrimin e kontratës për shërbime postare për votimin jashtë vendit. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 2 milionë e 85 mijë euro, por u dha për 275 mijë më shumë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Eksperti i prokurimit publik, Ardit Dragusha, thotë se në tenderët me negocim, me qëllim që të shpenzohet më pak Autoriteti Kontraktues duhet të kontaktojë më shumë se një kompani.

“Kjo është një praktikë e cila është optimale në rastet e përdorimit të procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Autoriteti kontraktues, kjo kontratë nuk është e hapur, megjithatë duhet të ftojë sa më shumë operatorë ekonomikë në mënyrë që ata të garojnë mes vete, kjo ka të bëjë edhe me cilësinë, por edhe me çmimin”, ka thënë Dragusha.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës për shërbime postare u publikua të martën, e ai për dhënie të kontratës një ditë më parë. Ligji për Prokurim Publik kërkon që në mes të këtyre njoftimeve të kalojnë 10 ditë.

“Megjithatë është një interpretim i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik i cili thotë se në situata të emergjencës së jashtëzakonshme të cilat lidhen me nenin 35 të LPP-së atëherë ky afat nuk mund të respektohet, pra lejohet nënshkrimi i kontratës në momentin kur bëhet njoftimi për dhënien e kontratës”, ka theksuar Dragusha.

Ndërkaq, për tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, njoftimi për dhënie të kontratës u publikua një ditë më parë, por ende nuk është publikuar njoftimi për nënshkrimin e saj.

KQZ-ja ka konfirmuar të hënën se ka nisur shtypja e fletëvotimeve për votimin me postë, por nuk ka treguar se kur ka filluar ky proces dhe nëse shtypja ka nisur para nënshkrimit të kontratës.

Votimi me postë bazuar në vendimin e së martës të KQZ-së, do të nisë më 21 maj e do të përfundojë më 6 qershor.

Katër tenderët e tjerë kanë vlerë më të vogël dhe kanë të bëjnë me pajisje teknologjike, trajnime etj.