Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se beson që vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, pasi sipas tij as kryeministri në detyrë Albin Kurti e as dikush tjetër nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta bërë Qeverinë.
“Kurti e ka pranuar mandatin nga presidentja, i ka edhe 11 ditë ta bëj qeverinë, unë jam i bindur që nuk i ka numrat, dhe pastaj ezaurimi i radhës së parë e sjell tentimin për provë të dytë, por nuk duket që kushdo tjetër ka shumicë ... afatet janë të tilla që mund të përfundojmë në zgjedhje në mes të 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit, ndoshta më 7 dhjetor”, ka deklaruar Krasniqi në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së.
Ai ka thënë se edhe nëse arrin Kurti ta bëjë shumicën, atëherë do të krijojë një qeveri jetëshkurtër dhe zgjedhje të reja do të ketë në prill, kur t’i përfundojë mandati presidentes Vjosa Osmani.
“Nëse na befason Kurti, që nuk kam ndonjë besim që mund ta bëjë një gjë të tillë, e bën Qeverinë për disa muaj dhe mbesim të shkojmë në zgjedhje në prill”, është shprehur Krasniqi.