Arbëri

Krasniqi: I kemi kërkuar Kushtetueses të mos e prishë balancën e komuniteteve

Elbert KRasniqi

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe deputeti, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media në emër të Grupit Multietnik në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe.

“Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe, sepse kjo do të prishte balancën e respektimit të të drejtave të të gjithë komuniteteve jo shumicë dhe përfaqësimin në institucionet e vendit. Ne vlerësojmë që Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund t’i shfrytëzojë ulëset e garantuara për të sjellë bllokadë, aq më tepër Lista Serbe. Kjo do të prishte balancën e të gjithë komuniteteve joshumicë dhe përfaqësimin e institucioneve”, ka thënë ai të enjten. “Kemi kërkuar nga kryetari propozimin tonë të hidhen në votim, dhe është votuar Emilja Rexhepi, sa më kujtohet edhe Lista Serbe ka marrë pjesë në votim me abstenim. E drejta për të pasur nënkryetar na takon dhe kemi bërë propozim jemi në një situatë që po bllokohet pasi që nuk është votuar nënkryetari i komuniteti serb Nenad Rashiq. Sot do të ishim në një situatë tjetër ku institiocnet do të ishin në themelim e sipër. Si Kuvend kemi një mundësi shumë të mirë për të zgjedhur Nenad Rashiq dhe për të vazhduar më tutje”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se Lista Serbe po tenton situatë që ta bllokojë Kosovën siç ndodh në Bosnje-Hercegovinë.

Të premten e javës që shkoi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar. Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta me ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë. /eo