Memli Krasniqi ka ofruar dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka njoftuar për dorëheqjen në një konferencë për shtyp të mërkurën, pas mbledhjes së Kryesisë.
Krasniqi ka thënë se ky është hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në.
“Ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime. Mbi njëzet vjet angazhim me PDK-në më kanë dhënë nderin të punoj për shtetin tim dhe qytetarët e mi – nga Kryetar i Rinisë Demokratike deri te Kryetar i Partisë Demokratike. Mbi të gjitha, kam pasur nderin e pakrahasueshëm të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Ai theksoi se ky vendim nuk lidhet me ndonjë zhvillim të fundit politik, por me nevojën për t’i dhënë partisë “një frymë të re dhe një mundësi të re për të ardhmen”.
“Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari. Kam bindjen e thellë se PDK do të mbetet në duar të sigurta – në duar të njerëzve që besojnë, që punojnë dhe që bashkojnë. Kjo nuk është lamtumirë – por vetëm mirupafshim. Sepse kjo është shtëpia ime e dytë, shtëpia ime politike, shtëpia e krenarisë sime jetësore”, ka thënë ai në fund.
Krasniqi ka bërë të ditur po ashtu se e ka thirrur Konventën e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë më 17 nëntor. Në bazë të burimeve të KOHËS brenda PDK-së, Bedri Hamza planifikohet të marrë pozitën e kryetarit të partisë.
“Nëse miku im Bedri Hamza kandidon për të qenë kryetar, e ka mbështetjen time”, ka thënë Krasniqi.
Hamza ka reaguar më pas në Facebook, nga ku e ka falënderuar Krasniqin, për kontributin në parti.
"Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur përballë sfidave që na presin. Bashkimi, besimi dhe përkushtimi ynë i përbashkët janë forca më e madhe e PDK-së dhe garancia e suksesit tonë", ka shkruar Hamza.
Krasniqi qe zgjedhur kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021.