Kryetari i deritanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi, në nisje të Konventës së kësaj partie ku pritet të zgjidhet kryetari i ri, ka thënë se momentet e tilla tregojnë se lidershipi është rrugët i jashtëzakonshëm kur përfundon aty ku ka filluar.
Ai ka thënë se delegatët e PDK-së ia dhanë besimin në një nga periudhat më të vështira të partisë.
“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11% në sondazhe. Në atë periudhë, disa flisnin për rënie, disa për krizë, disa madje për fillim të fundit për partinë tonë. Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka kritikuar pushtetin aktual duke thënë se për pesë vjet institucionet kanë degraduar, ekonomia ka stagnuar dhe mirëqenia e qytetarëve është përkeqësuar.
“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.
Ai duke theksuar që kushdo që të zgjidhet kryetar i ri sot do ta ketë mbështetjen e tij të plotë, ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet.
“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: “Rruga nuk i përket udhëheqësit - udhëheqësi i përket rrugës”. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, tha Memli Krasniqi.
Pasi u kërkua nga sekretarja e partisë, Vlora Çitaku, që të gjithë ata që nuk janë delegatë ta lëshojnë sallë, anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti nuk ka lejuar të përfundojë pjesa solemne e Konventës së PDK-së pa u miratuar dorëheqja e Krasniqit nga delegatët. Më pas, është hedhur në votim miratimi kësaj dorëheqjeje dhe është miratuar me shumicë votash.