Arbëri

Krasniqi thotë se do t’i shkojë Kurtit në takim: E inkurajoj që të reflektojë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se do të shkojë në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për konsultime për konstitutim të Kuvendit. 

“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t'i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, për takimin që Kurti e ka ftuar në orën 8:30 të enjten.

Ai ka thënë se e inkurajon Kurtin që të reflektojë mbi situatën e krijuar që të të gjej një kandidat siç ka thënë, të përshtatshëm për kryetar të Kuvendit. 

“Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale. Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka shkruar kreu i PDK-së.

Tutja ai ka shkuar se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo sipas tij, është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.

“Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar. Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media”, ka shkruar Krasniqi.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti

Kurti fton në konsulta Krasniqin e Abdixhikun për konstituim të Kuvendit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarin...