Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i ka ftuar në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimi është ftuar për të enjten në orën 8:30, para kohës kur është caktuar të mbahet vazhdimi i nënë i seancës konstituive.
"Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Lumir Abdixhiku, kryetarin e LDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30”, ka shkruar Kurti në ftesën drejtuar Krasniqit.
Të martën deputetët i thanë për të gjashtën herë jo kandidaturës së Albulena Haxhiut të LVV-së për kryetare të Kuvendit.
Kësisoj seanca konstituive e nisur më 15 prill dështoi edhe për herën e tetë radhazi.
Lëvizja Vetëvendosje, ani se nuk i ka 61 votat e nevojshme të deputetëve për ta zgjedhur Haxhiun, sërish nuk lëvizi nga rikandidimi i saj.


Bajrami: Askush nga LDK-ja s’do të shkojë në takimin e thirrur nga Kurti
Shefja e deputetëve të LDK-së Hykmete Bajrami, ka thënë se as kryetrari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e as dikush tjeter nga LDK-ja nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami për KOHËN.
“Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka shtuar Bajrami.