Komisioni për Legjislacion ka mbajtur dëgjimin publik për Projektligjin për Byronë e Verifikimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, pa praninë e anëtarëve nga opozita. Zëvendëskryetari i këtij komisioni, Vigan Qorrolli, tha se kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, ka munguar me arsyetimin se dëgjimi u thirr në shkelje të rregullores së Kuvendit. Kritika të ngjashme për këtë takim ka pasur edhe nga shoqëria civile.
Pavarësisht thirrjeve të shoqërisë civile dhe opozitës, Komisioni për Legjislacion ka mbajtur dëgjimin publik për Projektligjin për Byronë e Verifikimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në këtë mbledhje nuk morën pjesë anëtarët e këtij komisioni nga radhët e partive opozitare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE zëvendëskryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, theksoi se kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, ka munguar me arsyetimin se dëgjimi u thirr në shkelje të Rregullores së Kuvendit.
“Pretendimi që seanca e sotme dëgjimore përbën automatikisht shkelje të rregullores është juridikisht i pasaktë. Rregullat procedurale në shpalljen e dëgjimit publik kanë funksion garantues për transparencë për pjesëmarrjen”, ka thënë Qorrolli.
Përveç partive opozitare, kritika për mbajtjen e dëgjimit publik pati edhe shoqëria civile.
Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI, tha se ftesa për dëgjimin publik vetëm një ditë përpara takimit, është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
“Duhet pritur së paku 5 ditë që palët të kenë kohë të arsyeshme, që të ofrojnë komente cilësore e përmbajtjesore në përmirësimin e këtij ligji. Nuk është ideja veç me organizu një dëgjim publik, sa për formalitet, sa me shënu në raport që do ta dorëzoni në Komision dhe në Kuvend, që e kemi zhvillu një dëgjim publik”, ka deklaruar ai.
Bugaqku theksoi po ashtu se ende nuk janë adresuar si duhet as vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.
“Pasi të flasim në elemente për sa u përket gjetjeve konkrete se ku ne mendojmë që ligji është ende jo në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dua me theksu një herë rëndësinë e procesit të konsultimit publik, i cili është një prej fazave kyç që e legjitimon një proces ligjbërës ose një proces të hartimit të legjislacionit. Unë të paktën kam marrë pjesë në të gjitha grupet punuese të hartimit të këtij projektligji dhe i di pothuajse në detaje çdo diskutim që ka rënduar që nga koha e parë. Sidoqoftë edhe kjo e jona e përmendur, që edhe ky proces që sot po mbahet, ne besojmë që prapë është në kundërshtim me rregulloren procedurale, sepse nuk janë përcaktuar afatet kohore të mjaftueshme që i përcakton vetë rregullorja e punës së qeverisë. Pra, duhet pritur së paku 15 ditë nga momenti i njoftimit që do të ketë dëgjim publik që akterët të kenë kohë të mjaftueshme që të ofrojnë komente cilësore përmbajtjesore në draftin e këtij ligji”, theksoi Bugaqku.
E në Institutin Demokratik të Kosovës, që po ashtu nuk morën pjesë në këtë dëgjim publik, përmes një reagimi ritheksuan se mënyra se si Kuvendi i Kosovës, përkatësisht Komisioni për Legjislacion ka organizuar dëgjimin nuk përmbush standardet minimale të konsultimit, pasi, sipas tyre, ftesa është bërë “sot për nesër”.
Eugen Cakolli, menaxher i programit në KDI, ka thënë se zhvillimet e fundit në Komisionin parlamentar për legjislacion tregojnë një përshpejtim të panevojshëm të procedurave, përmes vendimeve të marra pa diskutim të plotë dhe pa pjesëmarrje të deputetëve të opozitës.
Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se Projektligji për Byronë e Verifikimit të Pasurisë së Pajustifikueshme synon të gjurmojë pasurinë dhe ta verifikojë atë.
“Ky projektligj synon të gjurmojë pasuri. Nuk e pengon procedurën penale për keqpërdorim të detyrës, në një procedurë tjetër dhe bazë tjetër ligjore, por e ka një fokus të qartë, që të verifikojë pasurinë e pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë”, ka deklaruar Rrustemi.
Në seancën e 18 prillit Kuvendi e votoi në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e pushtetit, 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës.
E në fund të marsit, Qeveria e Kosovës e miratoi Projektligjin dhe e procedoi në Kuvend për miratim në dy lexime. Në prezantimin e Projektligjit në Qeveri, ministrja Gërvalla pati thënë se kanë marrë për bazë vërejtjet e Kushtetueses.
Kryeministri Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si një nga prioritetet e ekzekutivit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.
Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.
Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.