Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka publikuar tarifat e reja për periudhën 2026-2028, tarifa që hyjnë në fuqi nga ky muaj.
Tarifa për shërbime të ujësjellësit për konsumatorët shtëpiakë, është 0.63 euro për metër kub, që është rritje prej 40 % krahasuar me tarifat e kaluara. Ndërsa tarifa për shërbimet e ujërave të ndotur është 0.12 euro për metër kub, që është një rritje afro 60% për qind për dallim nga tarifat e kaluara.
E për konsumatorët komercial dhe institucional tarifa e re është 0.82 euro për metër kub krahasuar me 0.62 sa ishte në tarifat e kaluara, sa i përket shërbimeve të ujësjellësit. E për shërbime të ujërave të ndotura tarifa e re është 0.28 euro, krahasuar me 0.17 sa ishte në tarifat e vjetra.

“Bazuar në Ligjin Nr. 05/L – 042, ARRU përcakton tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke siguruar që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve. Tarifat caktohen për: Shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura; Furnizimin me ujë të pa-trajtuar me shumicë; Ujin e trajtuar me shumicë. Tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve. KRU “Prishtina” ka paraqitur kërkesa për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë: Shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbimeve të kanalizimit, duke përfshirë rritjen e kostove për personelin dhe energjinë elektrike; Projekte kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit dhe makinerive ekzistuese, për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet në shërbim; Investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët. Edhe me tarifat e aprovuara, KRU “Prishtina” mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”, ka njoftuar KRU “Prishtina”.