Arbëri

Kryediplomatja finlandeze takon Osmanin, por jo edhe Kurtin e Gërvallën

Konstituim të shpejtë të institucioneve ka kërkuar ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e cila është edhe kryesuese e OSBE-së. Gjatë vizitës në Prishtinë ajo ka takuar presidenten, por jo edhe homologen e saj e as kryeministrin në detyrë

Ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e cila është edhe kryesuese e OSBE-së, ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar konform Kushtetutës së Kosovës.

Në një konferencë për media, të martën në Prishtinë, ajo ka bërë thirrje që institucionet e reja të formohen sa më shpejt.

“Mirëpres zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit dhe shpresoj që procesi i konstituimit të Kuvendit të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe që ne do të shohim një qeveri të re së shpejti, me të cilët presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë”, ka thënë Valtonen.

Procesi i konstituimit të Kuvendit është kontestuar, meqë deputetët serbë i janë drejtuar Kushtetueses, pasi ligjvënësit nuk zgjodhën edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Diplomatja finlandeze ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe shtyrjen e dialogut përpara, dhe ka vlerësuar se ky proces ka potencial të kontribuojë në siguri e stabilitet në rajon.

“Me emërimin e përfaqësuesit të ri të posaçëm për dialogun Prishtinë- Beograd, riafirmimi i zotimeve në dialog dhe avancimi i zbatimit e marrëveshjeve ekzistuese janë thelbësore për të pasur sukses”, ka thënë ajo.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës nuk ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e as homologen e saj, Donika Gërvalla. Ajo nuk ka treguar nëse me ta do të takohet jashtë zyrave të Qeverisë.

“Le ta them kështu: Ne shpresojmë fuqimisht që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ngërçin në Kuvend dhe Qeveri”, ka deklaruar Valtonen.

Valtonen është pritur nga presidentja Vjosa Osmani. Pas takimit, Osmani ka bërë të ditur se është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, rolin që OSBE-ja ka luajtur ndër vite në Kosovë, si dhe prioritetet e saj aktuale.

“Kënaqësi ta mirëpres sërish në Kosovë ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, njëkohësisht kryesuese aktuale e OSBE-së. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës për Kosovën në çdo etapë, përfshirë edhe për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Së bashku diskutuam për zhvillimet e fundit në vend, rolin që OSBE-ja ka luajtur ndër vite në Kosovë, si dhe prioritetet e saj aktuale”, ka thënë Osmani.

Valtonen ka takuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ajo ka theksuar se një “shoqëri civile aktive dhe e lirë është shtylla kurrizore e një sistemi demokratik”.