Në Prishtinë, llogaritet se brenda 24 orëve qarkullojnë mesatarisht rreth 120 mijë automjete.
Në rrugët e kryeqytetit ndodhin shumë aksidente, plaçkitje e dukuri të ngjashme negative.
Pavarësisht qarkullimit të madh të automjeteve dhe qytetarëve, në Prishtinë nuk janë vendosur ende kamerat e sigurisë, raporton “038” i KTV-së.
Qytetarët e shohin si shumë të nevojshme vendosjen e tyre, sidomos për ta ulur numrin e plaçkitjeve dhe për ta rregulluar më lehtë komunikacionin.
Aktualisht, vetëm në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe te qeveria gjenden disa kamera të sigurisë, të cilat janë vendosur dhe monitorohen nga Policia.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në korrik të vitit të kaluar, pati paralajmëruar se në vjeshtë komuna do t’i vendosë kamerat, si mënyrë për t’i dënuar shkelësit e rregullave të komunikacionit.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Tani, komuna thotë se gjatë vjeshtës së kaluar kanë nisur vetëm procedurat e prokurimit.
Zyrtarë të saj thonë se komuna ka planifikuar 300 mijë euro për këto kamera, vendosja e të cilave nuk dihet se kur do të ndodhë saktësisht.
“Tash jemi në fillimvit dhe të gjitha projektet veç jemi duke i planifikuar dhe përgatitur, procedurat ligjore për oferta. Nuk mund të lidhemi për data sepse datat nuk varen prej nesh. Janë procedurat e prokurimit dhe ne i iniciojmë qysh tani, gjatë muajit të ardhshëm janë planet ashtu siç i kemi planifikuar, që kemi bërë planin e prokurimit. Gjatë muajit të ardhshëm, fillojnë, procedohen. Në momentin kur i marrim kontratat, mund të japim data për fillim të punëve”, thotë Habib Qorri, udhëheqës i Sektorit për Shërbime Publike, Komuna e Prishtinës.
Qorri ka shtuar se janë në konsultim të ngushtë edhe me Policinë rreth mënyrës më funksionale për të ofruar siguri më të madhe për qytetarët.
Në anën tjetër, Policia e konsideron tejet të nevojshme vendosjen e kamerave, si ndihmesë në luftën kundër krimit dhe si masë parandaluese e aksidenteve në komunikacion.
Komandanti i Stacionit Policor “Qendra” në kryeqytet, Shkelzen Xhafa, thotë se deri më tani, nga komuna nuk kanë pranuar ndonjë dokument me të cilën përcaktohet se si do të funksionalizohen kamerat, apo ku do të vendosen ato.
“Te ne është shumë e rëndësishme të vendosen edhe kamera nëpër hyrje-daljet e Prishtinës, për arsye sepse kemi recidivista të vjedhjeve, grabitjeve dhe rasteve tjera, me të cilat ne po të mund t'i monitoronim do të na vinte më lehtë deri te identifikimi i personave të cilat i kanë kryer këto vepra. Gjithashtu, edhe në aksidente të komunikacionit, në kundërvajtje. Do të thotë, puna do të lehtësohej në masë shumë të madhe. Nëse e ke një zonë shumë të madhe siç është zona e stacionit policor “Qendra”, ku ka shumë ambasada, ndërtesa e delegacione të ndryshme, mund të them sinqerisht se policia edhe po t'i kishte 20 patrulla në një ndërrim nuk do të mund të ballafaqohej me të gjitha problematikën”, thotë Shkëlzen Xhafa, komandat i Stacionit Policor “Qendra”, Prishtinë.
Para vendosjes së kamerave, komandanti Xhafa ka kërkuar nga komuna që të konsultohet me policinë rreth lokacioneve të tyre.
“Komuna, para se të vendosë, duhet të konsultohet me neve me qëllim që edhe ne t'i tregojmë cilat janë ato pika që ne mendojmë se janë shumë të rëndësishme për punën e sigurisë sepse me siguri merret Policia e Kosovës dhe ato kamera duhet të vendosen për çështje të sigurisë”, ka thënë ai.
Kamerat, sipas Komunës dhe Policisë, do të vendosen nëpër udhëkryqe dhe pjesët më të frekuentuara në qytet.